Kulturë

Murali në objektin e vjetruar të Tiranës shpallet më i miri në botë për muajin shtator

“Street Art Cities”, që numëron 39 mijë vepra nga mbi 1000 qytete, ka përzgjedhur në listën e finalistëve veprën e krijuar nga Fabian Bane.

Muralisti nga Zvicra ka zgjedhur si pjesë të krijimit të tij, një vajzë që mban një telefon në duar, ndërsa gjysmën e fytyrës e mbulojnë lule shumëngjyrëshe.

“Frymëzimi vjen gjithmonë natyrshëm kur udhëtoj nëpër botë. Nuk po kërkoja frymëzim sepse e lashë veten të frymëzohesha nga ajo që ndodh rreth meje, që do të thotë se zakonisht më pëlqen që e bëj muralin dhe i lë njerëzit t’i japin kuptimin e tyre. Po , kjo murale ka të bëjë me botën e shpejt në të cilën jetojmë, me mediat sociale, te gjithë janë në telefon, nëse je në tren shikon njerëz që janë në telefon gjithë kohën. Media sociale është një botë që shkëlqen, doja ta tregosh këtë me lulet në kokë, se je verbuar nga diçka që mendon se të tërheq”- thotë muralisti.

Fabianit iu desh një javë për të përfunduar muralin në Tiranë. Por kjo nuk është vepra e tij e vetme, pasi muralet e tij mund të gjenden në shumë vende të botës. Por duke u nominuar si finalist për muralin më të mirë të muajit, Fabian e sheh si një nder të madh.

“Murali u përzgjodh për më të mirët e muajit, është një nder i madh, një ndjenjë shumë e mirë që njerëzit e pëlqyen punën dhe unë ndihem i nderuar”- shton Fabian Bane.

Ka qenë këmbëngulja e Helidon Halitit , kuratorit të “Mural Fest Tirana” që e solli Fabianin në Tiranë. Me të mbërritur, vëmendjen e tërhoqën ngjyrat në rrugët e kryeqytetit.

“Përshtypja ime për Tiranën ishte e papritur, nuk e kisha vizituar kurrë Shqipërinë. Kur mbërrita më lanë shumë përshtypje ngjyrat. Gjithashtu më lanë përshtypje kur vozita me makinë nga sa shumë murale mund të shihja, disa prej tyre nga artistët e mi të preferuar. Kjo jep ke një ndjenjë të mirë të jesh në gjendje të ecësh rrugëve të një qyteti dhe të shohësh murale.”

Prej 5 vitesh tradita e festivalit mural ka nisur në Tiranë, duke bërë bashkë artistë nga e gjithë bota dhe deri më tani janë rreth 60 murale që shpërndahen në zona të ndryshme.

/Shqip.com