Munishi në “radarin” e skuadrës së madhe shqiptare

Ismet Munishi mund të kthehet së shpejti në krye të një skuadre të madhe të futbollit. Për ish-trajnerin e Prishtinës interesim ka shprehur Shkëndija e Tetovës.
Edhe pse Qatip Osmani me Shkëndijën e përfunduan sezonin në vendin e tretë në Ligën e Parë futbollistike të Maqedonisë së Veriut dhe në sezonin e ri do të luajnë në Ligën e Konferencës të UEFA-s, trajneri i njohur tetovar dha dorëheqje.
Osmani dhe Shkëndija u ndanë menjëherë pas ndeshjes së fundit kampionale.
Siç merr vesh Open-TV nga disa informacione jozyrtare, trajneri i parë që është piketuar nga Shkëndija është Ismet Munishi, ish-trajner i Prishtinës dhe disa skuadrave të njohura kosovare.
Ky i fundit ka deklaruar për Open-TV se deri tani nuk është kontaktuar nga kryesia e kuqezinjve tetovarë. Ai thotë se do të ishte privilegj të drejtonte Shkëndijën.

“Nuk di. Nuk më ka kontaktuar askush. Në të kaluarën ka pasur interesim, por kam qenë i zënë me kontratë. Ndihem i privilegjuar, nëse prap përflitet emri im. Shkëndija është klub i madh me tifozë fatastik. Kam shumë respekt”, deklaroi Munishi për Open-TV.
Gjithashtu në Tetovë po qarkullojnë edhe emrat si: Aleksandar Vasovski, tashmë ish trajneri i Akademija Pandev dhe Ilir Dajës, trajner aktual i Ballkanit të Therandës.
Në ditët dhe javët në vijim do të mësojmë se për cilin trajner do të përcaktohet kryesia e KF Shkëndija për sezonin e ri 2023/2024.
/Shqip.com