Ekonomi

Mungesa e rezervave shtetërore të naftës – Kosova treg jostabil

Ilustrim nga një pomp

Mungesa e rezervave shtetërore të naftës ka ndikuar që Kosova të mos ketë një çmim stabil.

Dardan Abazi, anëtar i Institutit për Politika Zhvillimore, ka thënë për SHQIP.com se Kosova urgjentisht duhet të miratojë Ligjin për rezerva të obligueshme të naftës.

Sipas tij, kjo do të ndihmonte në raste të mungesës me furnizim për të balancuar çmimin në treg.

“Nevojitet menjëherë miratimi i Ligjit për rezerva të obligueshme të naftës, i cili është dashur që së paku në 5 vitet e fundit të miratohet. Modaliteti që duhet të caktohet në këtë ligj duhet që të përcaktojë që çdo pikë shitje e naftës të këtë një rezervë të caktuar të cilët duhet ta blinte shteti i Kosovës dhe kjo rezervë në rast nevojë të lëshohet në treg, sidomos kur ka mungesë të furnizimit me naftë, apo kur ka rritje enorme të çmimeve. Pra, shteti duhet të lëshojë sasi të caktuar të naftës në treg në mënyrë që të balancojë çmimin e tregut dhe të jetë një masë lehtësuese.”

Ai tha se shteti duhet të ketë një rezervë shtetërore, e cila është e barabartë me 60 ditët e konsumit apo 90 ditëve të importit.

“Ky standard duhet të jetë në mënyrë që të kemi një furnizim të sigurte dhe në kohën kur mungon furnizimi nga shtete tjera. Kjo kish ndiku që me u balancu çmimi që është në tregje ndërkombëtare dhe në atë të brendshme”.

Ai tha se mungesa e rezervave përmendet edhe si vërejtje në Raportin e Progresit nga Bashkimi Evropian.

“Zakonisht është kërkuar që Kosova me pas rezerva të naftës dhe jemi vonë në krahasim me rajonin dhe Bashkimin Evropian. Ka disa vite që ky ligj nuk është miratuar në Kuvend”.

Ndryshe, Kosova është përballur më një rritje të çmimeve në treg – përfshirë edhe atë të naftës.

Kryetari i Shoqatës së Natarëve të Kosovës, Fadil Berani, për SHQIP.com ka thënë me vendim të Qeverisë, duhet të ketë 5 për qind rezerva të naftës.

“Është ligji në debat publik dhe besoj që shoqata do të jap kontributin e saj. Vendimi i Qeverisë është se kemi obligim të kemi 5 për qind rezerva për shtet dhe besoj që është respektuar nga shoqata”./SHQIP.com