Lajme

Mungesa e barnave në spitale, ShSKUK ia lë fajin OSHP-së

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se është bërë furnizimi i klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e përgjithshme me shumicën e penjve kirurgjik, dorëza sterile dhe jo sterile.

Po ashtu, janë lëshuar porositë sipas urgjencave dhe në vazhdimësi po vazhdon lëshimi i porosive për furnizim me barna dhe material shpenzues për tremujorin e parë të vitit 2023, sipas kërkesave nga njësitë përbërëse.

ShSKUK ka bërë të ditur se furnizimi me barna është përmirësuar dukshëm.

“Sipas raportit zyrtar nga Klinika e Onkologjisë, vetëm nga data 12-23 janar 2023, kjo klinikë është furnizuar me citostatikë në vlerë mbi 1.2 milionë euro. Disa nga mungesat janë evidente, në disa raste për arsye të procedurave të prokurimit, por ka edhe raste kur fare nuk paraqiten ofertues. ShSKUK është ballafaquar edhe më shumë lëndë që janë duke pritur për shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, e që ka shkaktuar vështirësi në furnizim. Kjo na ka detyruar që të procedojmë me procedura për furnizim urgjent”, thuhet në njoftim.

Spitalet publike në shumicën e rasteve janë duke u përballur me mungesa të dukshme, derisa qytetarët po detyrohen të shpenzojnë mjete duke blerë ilaçe.

/Shqip.com