Lajme

Muja: Në disa raste kishte reagime të pamatura në Kosovë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Armend Muja, ka deklaruar se në veri ekziston një “milici fashiste e cila dirigjohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, po ashtu sipas tij ndikim në veri ka edhe Aleksandër Vulin, e Milan Radojçiq.

Ai, në Debat Plus, ka thënë se në veri, grupet kriminale nuk veprojnë vetëm kundër shqiptarëve, por edhe ndaj serbëve që mendojnë ndryshe nga ta.

“S’kemi problem me popullsinë lokale, rreziku është nga ta. Këta kanë problem edhe me serbë që mendojnë ndryshe. Ia digjnin veturat serbëve që i ndërronin targat”, ka thënë ai.

Tutje, ai i ka cilësuar të pamatura disa deklarata pas aksionit të Policisë në veri. Ai e përmendi edhe Viola Van Cramon, e cila sipas tij nuk ka vepruar drejt kur i ka qortuar policët e Kosovës në veri.

“Në disa raste kishte reagime të pamatura në Kosovë, duhet të peshohen mirë deklaratat. Duhet të jenë të kujdesshme, sepse keqpërdoren nga grupe kriminale. Unë mendoj që ato deklarata krijuan pasoja, sikur duhet të krijohej një lloj proteste, nga grupet në mungesë të popullsisë lokale”, ka thënë ai.

/Shqip.com