Lajme

MSH: Komisioni këshilldhënës do marr masa sa më adekuate anti-COVID’19

Ministria e Shëndetësisë.

Komisioni këshilldhënës për masat anti-COVID’19 ka mbajtur takim të hënën në Ministrinë e Shëndetësisë, ku është diskutuar situata epidemiologjike në vend, përcjell Shqip.com.

Sipas njoftimit të MSH-së, mekanizmat anti-COVID do të marrin për bazë indikatorët shëndetësor për propozimin e masave sa më adekuate për të ndaluar përhapjen e COVID-19 në vend.

“Komisioni ka theksuar se janë duke u analizuar indikatorët kryesorë që pasqyrojnë situatën epidemiologjike në vend, ndërsa secili veprim apo masë që do të propozohet do të ketë për qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit si dhe parandalimin e formave të rënda të sëmundjes që rrisnin ngarkesën spitalore dhe vdekjet, nga varianti Omicron apo variantet e tjera në qarkullim të SARS COV-2”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje, MSH bëri të ditur se gjatë këtij takimi është theksuar nevoja e respektimit të plotë të masave dhe i është bërë thirrje popullatës që të vaksinohen plotësisht kundër Coronavirusit.

“Në këtë takim është theksuar nevoja e respektimit të plotë të masave të ndërmarra më parë përmes mbikëqyrjes së zbatimit të tyre nga të gjitha institucionet përgjegjëse, ndërkohë që popullatës i është bërë thirrje që  të vaksinohen plotësisht përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19”, njofton Ministria./SHQIP.com