Lajme

MPJD: S’ka rregullore që detyron ministrat të udhëtojnë me dokumente të Kosovës

Megjithëse, janë të emëruar në krye të institucioneve, drejtues apo zyrtarë mund të udhëtojnë jashtë vendit edhe me pasaporta të shteteve tjera, ani se nuk i përfaqësojnë ato.

Kjo gjë u mundësohet, pasi Kosova nuk ka një rregullore që do t’i detyronte ata që në udhëtimet zyrtare, të përdorin vetëm dokumentet e Kosovës.

Një gjë e tillë është konfirmuar për Shqip.com nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas interesimit të redaksisë për të kuptuar se si funksionon kjo çështje, dy ditë pasi ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, u përfshi në një konflikt me punëtorët e administratës dhe sigurimit të Ambasadës zvicerane në Prishtinë.

“Sipas informatave të siguruara edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, nuk ka asnjë udhëzim administrativ, rregullore apo akt nënligjor që rregullon përdorimin e pasaportave kur ministrat gëzojnë dy nënshtetësi. Kjo gjë duket të mos jetë e rregulluar me legjislacionin aktual në Republikën e Kosovës dhe është në vullnetin e personit që i posedon dy e me tepër nënshtetësi se cilën pasaportë përdor”, thuhet në përgjigje për Shqip.com nga MPJD.

Tutje nga kjo ministri kanë treguar procedurat që duhet ndjekur anëtaret e kabinetit për viza hyrëse në vendet tjera.

“Kur anëtarët e kabinetit qeveritar udhëtojnë me pasaporta të Republikës së Kosovës pajisen me viza varësisht se në cilin vend shkojnë për vizitë zyrtare dhe nëse ka nevojë për vizë hyrëse. Kur udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian ata pajisen me viza për vendin përkatës të BE-së, si dhe kur udhëtojnë për në ShBA ata pajisen me viza hyrëse. Procedura e pajisjes me pasaportë diplomatike rregullohet në nenin 10 të Ligjit mbi Dokumentet e Udhëtimit L-037 dhe në pikën 2 të Vendimit të Qeverisë Nr. 11/32, datë 20.02.2018. Ligji mbi Dokumentet e Udhëtimit L-037, në pikën 10.1 të nenit 10 i sqaron rastet se kush në Republikën e Kosovës ka të drejtë të ketë pasaportë diplomatike”.

Shqip.com ka raportuar para dy ditësh se si Mehaj nuk ishte trajtuar si personel diplomatik, pasi kishte shkuar të pajisej me vizë.

Ndërsa, konflikti kishte nisur kur, ministri i Mbrojtjes që ka edhe shtetësinë norvegjeze, ishte detyruar të priste në radhë si qytetarët e tjerë, si dhe ishte detyruar t’i nënshtrohej kontrollit fizik.

Lexo edhe:
Ekskluzive: Ministri Mehaj konfrontohet me sigurimin e Ambasadës së Zvicrës

Për këtë rast redaksia ka mësuar se ministri ka dërguar ankesë zyrtare pranë ambasadës në fjalë.

Shqip.com ka kontaktuar me Ambasadën e Zvicrës, por këta të fundit refuzuan të japin detaje.

“Referuar pyetjes suaj, lista e vizitorëve dhe procedurat e sigurisë së Ambasadës sonë janë informacione konfidenciale. Prandaj, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë ose t’i përgjigjemi pyetjes suaj”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Zvicrës për Shqip.com.

Redaksia kishte provuar të kontaktoj me ministrin Mehaj, por i njëjti ka qenë i paqasshëm, ndërsa, ministria që ai e drejton, nuk ka kthyer përgjigje rreth pyetjeve të adresuara.

/Shqip.com