Lajme

Ekskluzive: Ministri Mehaj konfrontohet me sigurimin e Ambasadës së Zvicrës

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është përfshirë në një konflikt me punëtorët e administratës dhe sigurimit të Ambasadës zvicerane në Prishtinë.

Shqip.com ka mësuar nga burimet e veta pranë kabinetit të ministrit se i njëjti ka dërguar ankesë zyrtare pranë ambasadës në fjalë.

Mehaj nuk ishte trajtuar si personel diplomatik, pasi kishte shkuar të pajisej me vizë.

Ndërsa, konflikti kishte nisur kur, Mehaj ishte detyruar të priste në radhë si qytetarët e tjerë, si dhe ishte detyruar t’i nënshtrohet kontrollit fizik.

Shqip.com ka kontaktuar me Ambasadën e Zvicrës, por këta të fundit kanë refuzuar të japin detaje.

“Referuar pyetjes suaj, lista e vizitorëve dhe procedurat e sigurisë së Ambasadës sonë janë informacione konfidenciale. Prandaj, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë ose t’i përgjigjemi pyetjes suaj”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Zvicrës për Shqip.com.

Redaksia ka provuar të kontaktoj me ministrin Mehaj, por i njëjti ka qenë i paqasshëm. Ndërsa, ministria që ai e drejton, nuk ka kthyer përgjigje rreth pyetjeve të adresuara.

Dhënia e pasaportave diplomatike është e paraparë me Ligjin për dokumentet e Udhëtimit (Ligji Nr. -3 L-037), ku parashihet qartë se kush mund ta ketë një të tillë.

“Pasaporta diplomatike i lëshohet: Kryetarit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit dhe anëtarëve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Avokatit të Popullit, punëtorëve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe misioneve të Republikës së Kosovës jashtë shtetit, që kanë emërimet diplomatike, shërbimeve konsullore, si dhe punëtorëve të ministrisë për punët e jashtme, që kryejnë punët diplomatike dhe konsullore dhe kanë emërimet diplomatike, prijësit të delegacioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, personave që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës shkojnë për punë në organizatat ndërkombëtare si funksionarë të rangut diplomatik në organizatat e përmendura, korrierëve diplomatikë dhe personave të tjerë të caktuar, nëse kjo është në interes të Republikës së Kosovës”, thuhet në Nenin 10 të këtij ligji.

Sipas Ligjit, pasaporta diplomatike mund të lëshohet edhe për anëtarët e ngushtë të familjes së përfaqësuesit diplomatik.

/Shqip.com