OP-ED Kolumne

Mozaiku i qytetit pa lumë!

Artan Kajtazi
Artan Kajtazi

Publikuar:

Në një qytet të vogël (pa lumë), e me probleme të mëdha që rrjedhin (si lumë), qytetarët çuditshëm bredhin poshtë e lartë për nevojat e tyre elementare. Kur mësohesh me ketë lloj gjendjeje, në shikim të parë, të dukej sikur njerëzit “bashkohen” kundër të mirës!

Portretizimi i qytetit pa lumë, në këto ditë dimri të ftohta (pa borë), është i shumëllojshëm: shpërfaqja e mbeturinave në çdo vend, sinjalistikat në rrugë (pas zhveshjes se pemëve duken me qartë), trotuaret të cilat më shumë shfrytëzohen nga veturat se sa nga këmbësorët, si dhe betonimi në çdo cep të qytetit!

Mozaiku i qytetit është “zbukuruar” me kunja dhe shtylla elektrike, pakëz rrugë të shtruara me gurë, xhama të ndërtesave shumëkatëshe, metalpunues e “mermer” në lagjen e perëndimit (kur kalon andej pari të kaplon një lloje drithërime), ku vetëm korbat e zi fluturojnë mbi atë zonë!

Çuditërisht, qytetarët sikur janë mësuar me atë gjendje! Ndoshta edhe janë “adaptuar” me atë “traumë”! Është model i mozaikut urban!

Sidoqoftë, rrugët e qytetit janë të stërmbushura me njerëz! Secili ka një destinacion! Disa blejnë bukë, të tjerët blejnë barna (për dallim nga të parët, të dytët nuk i sheh me qese në dorë), i fshehin nën sqetull dhe ikin fluturimthi si lakuriq nate!

Të tjerët dalin për kafe dhe (tymosin duhan)! Lypsarët bredhin nga një tavolinë në tjetrën duke e shtrirë dorën për pesë grosh!

Në qendër (çdo ditë) kur kalon andej pari e sheh një të “huaj” që i bie fizarmonikës! Duke thithur e nxjerrë ajër, të njëjtën kohë duke shtypur me gishtërinj, jep një zë melodie të “llahtarshme”!

Kalimtarët e shohin “trembshëm” me kokën anash, derisa pështyjnë në rrugë, fshijnë hundët dhe gishtërinjtë me pastaj nga drunjtë! “Pasqyrë” e mirë e kulturës sonë!  

Shtrirja e gjerë dhe imazhet e qytetit janë të paharrueshme për secilin nga ne dhe jo vetëm! Na mungon një edukatë të paktën “elementare”! Na mungon një teori e perceptimit vizual të qytetit të bazuar në kritere objektive!

Por, gjithsesi, është diçka e çuditshme (se si në këtë periudhë) të tejzgjatet ky “eksperiment”, ku siç duket përpjekjet për një rifillim janë shuar!

E, ajo çka e bënë edhe me të çuditshëm mozaikun është rruga njëkaheshe në një prej lagjeve më të frekuentuara të qytetit!

Në rrugën me kabëza, gjysmë të thyera, gjendej një mishtore (ku ka ‘varur’ kafshët e therura në xham për ekspozim), ngjitur me mishtoren është një dyqan tjetër (me të brendshmet e femrave) edhe aty ishin të ekspozuara veshjet “provokuese”! Kalova edhe dhjetë hapa me tutje, gjendje një berber! Paradoks!

Shitësit e dyqaneve sikur kishin korruptuar zyrtarët e qytetit për të “mbijetuar”?! Ndoshta edhe kanë rezistuar!

Kuvendarët ndoshta do të thoshin: ky është civilizim dhe solidaritet social!

Kjo është ideja që t’i bëjnë disa njerëz të buzëqeshin dhe të besonin në absurditet!

Krejt në fund, për një eksplorim të formës se prerë urbane (dhe për një kulturë qytetare) do të duhej një “rebel” i nxitur nga frymëzimi për t’ia kthyer (tabelat) e dikurshme qytetit (kulturën qytetarit) dhe rëndësinë peizazhit urban!

/Shqip.com