Lajme

Moti i ftohtë s’i ndalë serbët të protestojnë – rruga mbetet e bllokuar

Njësia Speciale në pikat kufitare në Veri të Kosovës

Protestat e serbëve të veriut në Jarinje e Bërnjak po vazhdojnë, teksa rrugët ende mbesin të bllokuara, transmeton Shqip.com.

Dita e tretë e protestës së serbëve kundër reciprocitetit me targa, masë kjo që hyri në fuqi që nga e hëna e 20 shtatorit, ka vazhduar me furnizime me ushqim të shtuar e poashtu me zgjatje të kilometrave nga varu i mjeteve të transportit me të cilat është bllokuar rruga që shpie drejt pikës kufitare në Jarinje.

Protestuesit refuzojnë të deklarohen për mediat shqiptare, por prapa kamerës tregojnë synimet që kanë.

“Po protestojmë kundër lojës së Qeverisë në Prishtinë. Nuk e di sa do të qëndrojmë, ta shohim sa ka nevojë”, tha njëri prej protestuesve, raporton ‘Koha’.

E një tjetër shprehet se kjo situatë nuk i konvenon askujt.

“Çfarë të bëjmë. Vetëm mos të ketë probleme. Kjo është me rëndësi. Kjo situatë nuk është mirë për askënd”, thotë një protestues tjetër nga Komuna e Leposaviqit.

Baneri me logon ku urohet mirëseardhje në Asociacionin e vetëshpallur nga veriorët ndan protestuesit nga pika ku janë të vendosur pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës.

Pranë protestuesve dhe policëve gjatë së mërkurës kanë qëndruar edhe policë të EULEX-it -misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për sundimin e ligjit.

Gjatë orëve të pasdites serbët kanë tentuar të fusin përforcime me makina shtesë të rënda drejt Jarinjës. Disa prej tyre kanë qenë të mbushura edhe me zhavorr. Por policia nuk i la lejuar të vazhdonin rrugën.

Të shumta kanë qenë lëvizjet e qytetarëve serbë joprotestues, të cilët duhej ta bënin në këmbë rrugën deri në kufi, drejt Kosovës e Serbisë.

Një qytetar serb nga Zveçani, që nuk deshi të identifikohej e as të fliste para kamerës, tha se protesta është e drejtë, që duhet ushtruar, porse ai ka angazhime për të cilat duhet të shkojë në Serbi. Me vete i kishte edhe fëmijët. /Shqip.com