Lajme

Mot i ndryshueshëm, pjesa e dytë e ditës me shi dhe rrufe

Moti/Ilustrim

Sot gjatë ditës së marte parashihet që të mbajë moti i ndryshueshëm.

Sipas të dhënave nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thuhet se pjesët e para të ditës do të fillojnë me rreze të diellit por më pas do të ketë vranësira, reshje shiu dhe shkarkime elektrike.

“Fushat me presion të ulët të cilat kanë përfshirë vendin, do të vazhdojnë ndikimin e tyre edhe për gjatë javës së ardhshme, duke ndikuar të kemi një mot të ndryshueshëm. Pjesët e para të ditës, zakonisht fillojnë me rreze dielli, por gjatë ditës, rrezet e diellit do të zëvendësohen me vranësira, reshje shiu dhe shkarkime elektrike”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Tutje, IHMK-ja ka njoftuar se disa zona mund të prekën nga breshëri.

Ilustrim

Sa i përket temperaturave, ato mbesin në vlera të njëjta me këto të fundit, duke i ruajtur mesataret e viteve tjera të muajit gushtë.

Sipas IHMK-së, temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 23-29 gradë Celsius.

Indeksi UV mbetet në vlerat e mesatareve si dhe do të fryjë erë nga drejtimi i perëndimit dhe veriperëndimit e lehtë dhe lokalisht e fortë./Shqip.com