Art Jetese

Mosunifikimi i çmimit të barnave lejon shtrirjen e biznesit të barnatoreve

Lajmi me Audio

Çdo javë Teuta Mazreku detyrohet që të blejë ilaçe për babanë e saj, i cili ka probleme me zemër.

Ajo brengën e vetme nuk e ka gjetjen e medikamenteve që i nevojiten, por edhe çmimin.

Mazreku për SHQIP.com ka treguar se për një ilaç për zemër çmimi dallon shumë nga barnatorja në lagjen Emshir ku jeton, me atë në Ulpianë ku e blenë.

“Jo vetëm që është e vështirë t’i gjej këto barna, por edhe zgjedhja e barnatores është problem. Një bar për zemër dallon 4 euro nga ‘Emshiri’ në ‘Rrethin e Spitalit’ dhe për këtë detyrohemi që të bëjmë rrugë shtesë, pasi ky nuk është ilaçi i vetëm që ne e marrim”.

Ajo po ashtu ka treguar se ka vërejtur që çmimi dallon edhe te ilaçet esenciale, për rreth 0.70 centë.

Nga mosunifikimi i çmimit të barnave nuk është dëmtuar vetëm Mazreku, por edhe shumë qytetarë të tjerë.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve të Kosovës, Besim Kodra tha për Shqip.com se çmimi i tregut të barnave është përdorur si biznes.

Foto Besim Kodra

Besim Kodra – Kryetar i Odës së Pacientëve të Kosovës

“Qytetarët janë dëmtuar shumë, pasi ata janë furnizuar në bazë të çmimit të tregut dhe barnat janë përdorë si biznes dhe jo si diçka që ka qëllim human për shërimin e pacientëve. Dhe kur shndërrohet në biznes, nënkupton që kanë abuzuar me to”, tha Kodra.

Nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, kanë thënë për Shqip.com se vendosja dhe rregullimi i çmimit të barnave është domosdoshmëri dhe duhet të bëhet sa më parë.

Foto: Arianit Jakupi

Arianit Jakupi – Kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës

“Oda e Farmacistëve të Kosovës si përfaqësuese e farmacistëve pas shumë diskutimeve ndër vite apo edhe anketimeve me farmacistët në Kosovë, thekson se vendosja dhe rregullimi i çmimeve të barnave është domosdoshmëri që duhet të bëhet sa më parë. Konsiderojmë se transparenca dhe llogaridhënia, janë pika shumë të rëndësishme, të cilat duhet të merren parasysh edhe në procesin e kalkulimeve të çmimeve, andaj për të pasur anëtarë, të cilët vëzhgojnë procesin, nuk duhet të paraqesë problem për ndonjë. Dëmtimi më i madh si mungesë e rregullimit dhe vendosjes së çmimeve, është për farmacistët dhe pacientët, të cilët në fund e paguajnë faturën”, tha kryetari i OFK-së, Arianit Jakupi.

Deri në 10 milionë euro në vitë dëmtohet ekonomia nga mosunifikimi i çmimit të barnave

Përveç kësaj, ai tha se në proporcion me numrin e banorëve, Kosova ka më shumë barnatore sesa që duhet.

“Dëmtimi konsiderohet se është rreth 10 milionë euro në vit. Numri i barnatoreve në Kosovë është 873 dhe me trend të rritjes. Ky numër nuk është në proporcion me numrin e banorëve, pasi nëse merret mesatarja evropiane në Kosovë nuk do të duhej të kishte mbi 550 barnatore. Numri i madh i barnatoreve shkakton problem të tjera përveç atyre komercial e dhe të rritjes së paarsyeshme të konkurrencës, edhe në faktin se numri i madh shkon në proporcion me rënien e ofrimit të shërbimeve profesionale shëndetësore, të cilat në fund i vuajnë pacientët”.

Tutje, Jakupi tha se sa më i madh numri i barnatoreve aq më shumë fokusi do të jetë në biznes e më pak në shërbimet shëndetësore, të cilat duhet të jepen në barnatore.

/Shqip.com