Sport Ndërkombëtar

Monza mposhti Juventusin, trajneri mori këtë dhuratë nga Galliani

Monza mundi sot Juventusin në shtëpi me shifrat 2-0 dhe për Raffaele Palladinon, trajnerin e debutuesve në Serie A, suksesi kishte një vlerë të dyfishtë. Ish-mesfushori i bardhezinjve në fakt, përveç tre pikëve i është gëzuar edhe një dhurate të veçantë nga administratori i klubit, Adriano Galliani.

Menjëherë pas ndeshjes, Palladino është shfaqur para kamerave të “DAZN” me një kravatë të verdhë në dorë, të cilën e tregoi me krenari, sepse kjo ishte dhurata që i kishte bërë drejtuesi i klubit pas një bashkëbisedimi që kishin pasur para ndeshjes.

“Unë i bëra komplimente Gallianit para ndeshjes për kravatën që mbante dhe më tha “nëse bën rezultat, do të ta dhuroj”. Meqë ai është një burrë që e mban fjalën, e bëri një gjë të tillë”, tha Paladino duke treguar kravatën që mbante në dorë.

/Shqip.com