Lajme

Miratohet projektligji që rregullon çmimet e barnave

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së sotme përmes një projektligji ka vendosur bazën e çmimit për produktet medicinale.

Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës ka thënë se përmes këtij projektligji synohet që të vendoset një rregull sa i përket çmimit e po ashtu do të kursejë mjete të shumta nga xhepi i qytetarëve.

“Politikë të re që do të vendos rregull në çmimet e barnave dhe do të kursejmë para nga gjepat e qytetarëve tanë. Kjo bëhet për të siguruar barna të mjaftueshme dhe me çmim të përballueshëm. Kjo do t’i mbroj qytetarët nga çmimet e papërballueshme dhe ne do t’i kemi ndër çmimet më të lira të barnave, kjo do të ketë ndikim në shëndetësinë publike.”, tha Kurti.

Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se ky projektligj është për mbrojtjen e qytetarëve.

Lexo edhe:
Mosunifikimi i çmimit të barnave lejon shtrirjen e biznesit të barnatoreve

Ai ka përmendur se deri më sot vetëm Kosova dhe Bjellorusia në Evropë nuk e kanë pasur këtë ligj.

“Jam i lumtur që më në fund po e prezantojmë këtë projektligj në qeveri, në gjithë Evropën vetëm dy shtete kanë qenë pa e rregulluar kjo çështje, në Bjellorusi dhe në Kosovë.Kosova po hiqet nga kjo listë. Kjo është politikë e re në mbrojtjen e qytetarëve tanë. Ligji ka për synim që çmimi të jetë i përballueshëm, më i mirë se në rajon dhe çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore”, ka thënë Vitia.

Pro këtij projektligji kanë votuar të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar.

/Shqip.com