Miratohen masat e reja anti-COVID’19

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar masat e reja kundër Coronavirusit, të cilat do të hyjnë në fuqi më 20 gusht.
Deri më 1 shtator do të mbyllen klubet e natës, do të reduktohet orari i gastronomisë, ndërsa dasmat dhe ahengjet e tjera familjare do të ndalohen.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se në Kosovë ka rritje enorme të rasteve të infektimit, andaj “masat e marra do të tentojnë ta mbajnë në kontroll situatën epidemiologjike”.
“Masat për ruajtjen dhe mbrojtjen janë për të kufizuar transmetimin e Covid-19 dhe për të zvogëluar vdekjet. Kemi rritje enorme të rasteve të infeksionit. Në një situatë të tillë duke balancuar interesin e ruajtjes së shëndetit publik dhe atë ekonomik, propozojmë ndërmarrjen e masave të reja”.
“Masat nuk përcaktojnë obligimin e vaksinimit të obligueshëm. Masat dhe afatet kohore shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet në kontroll”, u shpreh ai.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar katër viktima dhe dy mijë e 110 raste të reja me COVID-19./SHQIP.com