Ekonomi Biznes

MINT jep në shfrytëzim tokën në Fushë-Kosovë, hap 300 vende të punës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nënshkruar marrëveshjen për dhënien në shfrytëzim të një prone në Harilaq të Fushë Kosovës për 99 vite e cila do të shfrytëzohet nga kompania “Kosmonte Foods” e që pritet të sjell brendin gjerman “Zott” dhe atë slloven “Perutnina Ptuj”.

Sipas njoftimit të Ministrisë, hapja e fabrikës së zogjve të punës nga “Perutnina Ptuj” pritet të filloj këtë vit derisa të dy kompanitë do të punësojnë rreth 300 veta.

Në njoftimin e Ministrisë së Industrisë në Facebook, thuhet se marrëveshjen e ka nënshkruar ministrja Rozeta Hajdari dhe pronari i kompanisë “Kosmonte Foods”, Lulzim Begaj.

“Në emër të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar marrëveshjen për realizimin e projektit strategjik me pronarin e subjektit Kosmonte Foods, z. Lulzim Begaj.

Kjo marrëveshje ka për qëllim realizimin e projektit strategjik në vlerë totale prej 11,143,917.2 euro (njëmbëdhjetë milion e njëqind e dyzetë e tre mijë e nëntëqind e shtatëmbëdhjetë euro e njëzet cent).

Sipas marrëveshjes, investimi do të kryhet së shpejti, dhe do të jetësojë projektin investues duke sjellë dhe bashkëpunuar me kompaninë gjermane “Zott”, dhe kompaninë sllovene “Perutnina Ptuj”.

“Nga ky projekt strategjik parashihet të hapen së paku edhe 300 vende të reja pune”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, objekt i kësaj marrëveshjeje është dhënia në shfrytëzim e pronës për 99 vite në zonën kadastrale Harilaq, Komuna e Fushë Kosovës, e cila do të shfrytëzohet për investime strategjike në asete fizike për grumbullimin, trajtimin, ruajtjen e pemëve dhe perimeve, përpunimin e tyre dhe tregtimin e produkteve bujqësore, si dhe përpunimin e mishit të shpezëve.

“Perutnina Ptuj” pritet sivjet te fillojë me investim në fabrikë dhe në vendosjen e mbarështimit të zogjëve të pulës.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është realizimi i projektit strategjik dhe përcaktimi i të drejtave dhe detyrimeve përmes Autoritetit Kontraktues dhe Investitorit, për implementimin e projektit strategjik të fituar me vendimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës dhe vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua në fund të vitit të kaluar dhe i hap rrugë zbatimit të investimit strategjik i cili pritet të fillojë së shpejti, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

/Shqip.com