Lajme “Fillimisht, për armët të cilat jepen mijëra euro nga arka shtetërore, të kërkohen dekorime e punime të veçanta me emra të personalizuar, është abuzim tipik i pushtetit. Pra, këtu kemi të bëjmë me përmbushje të egos dhe tekeve personale me para publike, ky është keqpërdorim i pastërt i buxhetit të shtetit”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për SHQIP.com.

Ministrja Haxhiu për Shqip.com: Prokuroria të nis hetimet për blerjen e armëve nga ish-Qeveria Thaçi

Albulena Haxhiu

“Shfrytëzimi 7 vite më tepër nga stafi politik, duhet të shërbejë si alarm për Prokurorin e Shtetit që pa humbur kohë të iniciojë hetime penale lidhur me rastin” – kështu ka thënë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një deklaratë për SHQIP.com.

Haxhiu duke folur për furnizimin me armë e municion të anëtarëve të kabinetit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, tha se ky rast cilësohet si i dyshimtë meqë armët janë blerë të shoqëruara me shurdhues.

Posedimi i shurdhuesve, Haxhiu thotë se “lë hapësirë për dyshime dhe pikëpyetje”.

“Për më tepër, këtë rast e bën edhe më të dyshimtë fakti se këto armë janë blerë të shoqëruara me shurdhues (mbytës të zërit apo të njohura ndryshe si silenciatorë), që është tërësisht e kundërligjshme. Ky veprim i palejuar ka implikuar disa persona në cilësi të ndryshme atë botë, të cilët duhet të japin jo vetëm informacione, por edhe përgjegjësi lidhur me rastin” , tha Haxhiu.

SHQIP.com, ditë më parë ka raportuar se ishin blerë tri armë për stafin politik të Thaçit.

Në mesin e tyre rezulton të jetë ish-shefi i kabinetit, Abelard Tahiri.

Lexo edhe:
(Dokument) Abelard Tahiri me para të shtetit bleu armë të personalizuar

Tahiri armën e tij e kishte personalizuar duke shkruar mbi të emrin dhe mbiemrin.

Për ministren Haxhiu personalizimi i armës duke përdorur mjetet nga arka shtetërore është e papranueshme dhe e cilëson si “keqpërdorim të buxhetit të shtetit”.

“Fillimisht, për armët të cilat jepen mijëra euro nga arka shtetërore, të kërkohen dekorime e punime të veçanta me emra të personalizuar, është abuzim tipik i pushtetit. Pra, këtu kemi të bëjmë me përmbushje të egos dhe tekeve personale me para publike, ky është keqpërdorim i pastërt i buxhetit të shtetit”, tha ministrja për SHQIP.com.

Lexo edhe:
(Dokument) Përveç me armë e fishekë, kabineti i Thaçit del të jenë pajisur edhe me shurdhues

Ish- shefi i kabinetit të Qeverisë Thaçi, Abelard Tahiri, nuk e kishte dorëzuar armën e zjarrit të personalizuar me të përfunduar mandatin më 2014.

Ai rezulton të ketë qenë i pajisur me armë edhe 7 vjet të tjera, pas përfundimit të detyrës qeveritare, përkundër se ishte aset i Zyrës së kryeministrit.

Lexo edhe:
Tahiri nuk e ktheu armën me përfundimin e mandatit siç deklaroi, e mbajti edhe 7 vjet të tjera

Këtë veprim, Haxhiu e quan “shkelje të rëndë”.

“Shkelja bëhet edhe më e rëndë kur u kuptua se këto armë, janë shfrytëzuar kundërligjshëm për një kohë shumë më të gjatë, nga sa kanë qenë “të lejuara”, tha ajo.

Për këtë çështje, ministrja e Drejtësisë thotë se duhet nisur hetimet nga Prokuroria e Shtetit.

“Shfrytëzimi 7 vite më tepër nga stafi politik, duhet të shërbejë si alarm për Prokurorin e Shtetit që pa humbur kohë të iniciojë hetime penale lidhur me rastin dhe secilin element përbërës të tij, duke u fokusuar te motivi; arsyeja e blerjes së shurdhuesve; përdorimi eventual i tyre dhe në çfarë raste; shkelja e afatit kohor të bartjes etj”, përfundon Haxhiu për SHQIP.com.

Shqip.com javë më parë ka raportuar se si ish-stafi i kabinetit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi ishte pajisur me armë e municion.

Në dokumentin e prokurimit të siguruar nga SHQIP.com figuron blerja e armëve për stafin politik.

Përveç armëve, në dokumentet e siguruara nga SHQIP.com figuron blerja e 20 mijë fishekëve dhe pesë shurdhueseve.

SHQIP.com ka nisur pyetje në Prokurorinë e Shtetit në çoftë se ka nisur hetime në të kaluarën për rastin ose në ditët në vijim por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje. /Shqip.com