Ekonomi

Ministria e Tregtisë: Edhe naftëtarët do të gjobiten, mashtruan me sasinë e stokut

Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë ka njoftuar se edhe naftëtarët do të gjobitën për shkak se kanë gjetur parregullësi në sasinë e stokut.

Kjo ministri përmes një komunikata ka treguar se i ka angazhuar të gjithë inspektoratet në Kosovë për t’i monitoruar çmimet edhe të derivateve, por edhe të marketeve.

“Inspektorati i Tregut i MINT në bashkëpunim me Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kanë inspektuar pikat shitëse me pakicë të naftës dhe derivateve të naftës me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përcaktimin e marzhës tregtare. Te disa biznese ka pasur mosbarazim sa i përket sasisë së stokut dhe me këtë rast do të shqiptohen gjoba në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj ministrie janë inspektuar depo, markete dhe me këtë rast janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e vajrave ushqimore për shkak të mungesës së dokumentacionit, është konstatuar mospërputhje e çmimeve, mashtrime me sasisë e produkteve etj.

“Me këtë rast janë shqiptuar një numër i madh i gjobave gjithashtu lëndët do të trajtohen në pajtim me legjislacionin në fuqi. Inspektimet do të vazhdojnë dhe në çdo rast kur konstatohen shkeljet, do të merren masa ndëshkuese”, përfundon njoftimi.

Një ditë më herët nga kjo ministri kanë njoftuar se i kanë mbyllur dy depo të produkteve ushqimore, ku ishte gjetur vaj pa pasur dokumente të prejardhjes së produktit.

Kujtojmë muaji mars i këtij viti ka nisur me ngritje të çmimeve, ndërsa në javën e dytë vaji dhe nafta kanë arritur kulmin, gjë që detyroi institucionet të marrin masa.

Vaji nga 1.80 cent u shtrenjtua në 3.45 cent, ndërsa derivatet, nafta dhe benzina arritën deri në 1.70.

Lexo edhe: