Lajme

Ministria e Infrastrukturës propozon ligj të ri për hekurudhat

Hekurudhat e Kosovës
Hekurudhat e Kosovës

Asnjë ndryshim, politika të reja apo ligj krejt të ri për hekurudhat. Këto tri opsione i ka para vetes Qeveria e Kosovës për t’u marrë me këtë fushë.

Ministria e Infrastrukturës që e ka hartuar koncept-dokumentin ka dalë në favor të së tretës, që të hartohet korniza ligjore, bazuar në zhvillimet e fundit teknologjike dhe praktikat evropiane.

Në shpjegim thuhet se ligji i ri e ul ngarkesën administrative në këtë sektor, e hap tregun dhe e përmirëson cilësinë e shërbimeve. Gjithashtu, shton investime, vende të reja pune, por edhe e rrit sigurinë e aseteve hekurudhore.

Pro kësaj ideje është edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Sipas tij, është i domosdoshëm ligji i ri që bazohet në përmirësim të hekurudhave dhe përshtatje me teknologjinë e sotme, raporton Klan Kosova.

Mirëpo, ndryshe vlerëson ish-kryesuesi i Bordit të Trainkos, Nol Dedaj. Sipas tij, Kosova ka infrastrukturë të vjetër, prandaj nuk do t’i shkonte ligj i ri me standarde të larta e pa investime.

I gjithë sektori hekurudhor funksionon sipas ligjit që është miratuar në vitin 2011.

/Shqip.com