Lajme

Ministria e Industrisë hedh poshtë akuzat se investitorët po largohen për shkak të vonesave nga Qeveria

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka hedhur poshtë akuzat se vonesat procedurale të Qeverisë kanë shtyrë një kompani franceze të zhvendosë investimin e planifikuar nga Kosova në një shtet tjetër.

Sipas njoftimit të ministrisë, akuzat janë hedhur përmes kumtesave të ndara nga ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe kryetari në largim i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Bëhet fjalë për kompanisë “Akuo Energy”, për të cilën MINT-i thotë se nuk është tërhequr nga projekti investues në Kosovë, por ka edhe projekte të tjera në rajon.

“Kompania “Akuo Energy”, përmes filialit “Cicavica Ëind Farm” sh.p.k., synon të realizojë projektin e prodhimit të energjisë me erë “Çiçaciva”. Kompania franceze, e cila operon në disa vende të rajonit, i ka konfirmuar edhe sot Ministrisë se NUK po tërhiqet nga projekti investues në Kosovë, por ka edhe projekte tjera në rajon”, thuhet në komunikatën për media.

“Projekti është paraqitur fillimisht në fund të vitit 2018, por subjekti propozues ka dorëzuar aplikimin e kompletuar për investim strategjik tek në qershor 2020. Agjencia për Investimet dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve e Kosovës (KIESA) ka rekomanduar që projekti të shpallet investim strategjik, dhe Qeveria ka miratuar rekomandimin e KIESA-s në dhjetor 2020, por nuk ka arritur të sigurojë pëlqimin e Kuvendit të Republikës para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2021”.

MINT thotë se i ka kumtuar kompanisë “Akuo Energy” se lënda do të riprocedohet shpejt në Komisionin Ndërministror për Investimet Strategjike, me pjesëmarrjen e institucioneve të reja në nivelin qendror dhe nivelin lokal.

Ndërsa, pas shqyrtimit në Komision, lënda trajtohet në Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës.

“Riprocedimi do t’i hapë rrugë realizimit të investimit në përputhje me legjislacionin në fuqi, sidomos normat për ndihmën shtetërore – pra, pa tarifa nxitëse që mund t’u faturohet qytetarëve dhe të cilat ndalohen me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe të Republikës së Kosovës”.

“MINT mbetet e përkushtuar për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve në përputhje me ligjin dhe interesit publik të qytetarëve”.