Lajme

Ministria e Financave ekzekuton pagat, paralajmëron auditim për komunat

Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, ka bërë të ditur se ka ekzekutuar pagat edhe për pjesën e mbetur të organizatave buxhetore.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton opinionin publik se sot ka ekzekutuar pagat edhe për pjesën e mbetur të organizatave buxhetore. Përkundër afatit shtesë, disa organizata buxhetore as deri në ditën e sotme nuk kanë bërë përditësimin e listave për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara, gjë që ka ndikuar në vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar, gjë për të cilën Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve shpreh keqardhje të thellë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Po ashtu nga Ministria është bërë e ditur se kontrata e punojësëve që janë në grevë duhet të pezullohen.

“Bazuar në Ligjin për Greva, kontrata e punonjësve që janë në grevë duhet të pezullohen, përfshirë edhe të drejtën e pagesës për aq kohë sa punonjësi qëndron në grevë. Ky pezullim duhet të bëhet nga punëdhënësi, gjegjësisht përfaqësuesi i punëdhënësit apo Zyrtari Kryesor Administrativ i secilës organizatë buxhetore. Andaj, i takon secilës nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e pagave dhe t’i dërgojnë në Thesar ashtu që të reflektohet saktë kompensimi për punën e secilit”, thuhet më tutje në njoftimin e Ministrisë.

Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për Greva. Për këtë, Ministria do të njoftojë organet përkatëse, përfshirë edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit që të kryejë një auditim të veçantë për këtë çështje, ku përgjegjësia e çdo shkeljeje ligjore bie mbi Zyrtarët Kryesor Administrativ të organizatave buxhetore dhe stafin përkatës, thuhet më tutje në njoftimin e MF-së.