Lajme

Ministri Aliu: Europa Nostra dëmtoi imazhin e Kosovës

Ministri Liburn Aliu

Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se Evropa Nostra e ka dëmtuar imazhin e Kosovës.

Siç raporton RTK, në emisionin RTK Prime, Aliu tha se kjo ka ndodhur për shkak të vendimi që është publikuar nga Evropa Nostra si pas të cilit Manastiri i Deçanit po rrezikohej nga elemente ekstremiste ku përmendej edhe organizata e ISIS-it.

“Ky ka qenë dëmtim i jashtëzakonshëm i imazhit të Kosovës, ndonëse nuk kishte asnjë bazë, asnjë fakt të vetëm, nuk di as prej nga e kanë marrë a si ka buruar kjo e dhënë, pa kontaktuar as organet e sigurisë në Kosovë, qoftë Policinë ë Kosovës, qoftë KFOR-in, qoftë institucionet që merren me trashëgiminë kulturore. Thjeshtë kanë publikuar një shpallje të tillë për Manastirin e Deçanit, që ka dëmtuar shumë imazhin e Republikës së Kosovës”, tha Aliu.

Lidhur me këtë çështje, ministri Aliu sqaroi se edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar përmes letrave dërguar atyre që nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

“Ne ua shprehëm shqetësimin tonë, faktin që është dëmtuar imazhi i Republikës së Kosovës, ndërkohë që ata thanë që ende nuk ka raport të plotë për këtë çështje”, shtoi ministri Aliu.

Veç kësaj kanë insistuar të kenë takime, por që nuk u realizuan deri më tani

Përfaqësuesit Evropa Nostra, janë takuar me ministrin Aliu dhe me ministrin  Hajrulla Çeku, sipas të cilëve ky manastir cilësohej si i rrezikuar.

Lidhur me këtë vizitë, Aliu tha se takimi ishte i mirëseardhur për shkak se Manastiri i Deçanit ishte shpallur si një nga 7 monumente të rrezikuara.

Tutje ai theksoi se nuk mund t’i lihet objekti i trashëgimisë kulturore në dorë të një kleri fetar, siç ka ndodhur në Patrikanën e Pejës, që kleri fetar ka dëmtuar objektin e trashëgimisë kulturore, që sipas Aliut do të duhej të trajtohej profesionalisht.

Manastiri i Deçanit
Lexo edhe:
Europa Nostra: Manastiri i Deçanit duhet të vazhdojë të ruhet nga trupat e KFOR-it

Një delegacion i organizatës “Europa Nostra”, së fundmi ka qëndruar per vizitë në Kosovë, ku zhvilloi gjithashtu një sërë takimesh me përfaqësues të autoriteteve të Kosovës.

Në përshkrimin e vizitave dhe takimeve, Europa Nostra ka theksuar si temë më të rëndësishme diskutimi përfshirjen e Manastirit të Deçanit, në Listën e 7 vendeve më të Rrezikuara në Evropë për vitin 2021, si dhe opsionet për përmirësimin e situatës.

Në njoftim thuhet se një vit pas publikimit të kësaj liste, arsyet kryesore për përfshirjen e këtij objekti të trashëgimisë botërore në rrezik edhe në listën e 7 më të rrezikuarve të Europa Nostra-s kanë mbetur të vlefshme.

“Së pari, ende nuk është rënë dakord nga të gjitha palët për një zgjidhje përfundimtare lidhur me pasojat e shkaktuara nga planet për rritjen e trafikut brenda dhe rreth Zonës së Veçantë Mbrojtëse të Manastirit të Deçanit, e as në lidhje me ndërhyrjet e tjera të paralajmëruara, siç është projekti buzë lumit, që mund të ndikojnë negativisht në mjedisin natyror të Manastirit i cili do të konsiderohet si pjesë përbërëse e vlerës së tij të jashtëzakonshme të trashëgimisë”, thuhet në njoftimin e Europa Nostrës.

Lexo edhe:

Delegacioni i “Europa Nostra” viziton Manastirin e Deçanit, të cilin e kishin futur në listën e monumenteve më të rrezikuara

Po ashtu, në njoftim thuhet se  vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit në 24 hektarë tokë ende nuk është zbatuar përmes regjistrimit ligjor të tokës së Manastirit, gjë që sipas tyre cenon sundimin e ligjit dhe sigurinë juridike të këtij Manastiri të gjallë me tokën përreth.

Po ashtu, në njoftim theksohet edhe se Manastiri duhet të vazhdojë të ruhet 24/7 nga trupat e KFOR-it, siç ka konfirmuar edhe komandanti i KFOR-it.

Lexo edhe:

Reagon Manastiri i Deçanit: Na mohohen të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligje të Kosovës

“Manastiri i Deçanit herë pas here ballafaqohet edhe me përpjekje të pabaza për të rishikuar identitetin kulturor dhe historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, tendencë e cila nuk është në përputhje me parimet evropiane dhe ndërkombëtare të interpretimit të saktë historik dhe artistik të monumenteve historike dhe objekteve të trashëgimisë gjë që cenon shtetin ligjor dhe sigurinë juridike të këtij Manastiri të gjallë me tokën përreth”, thuhet tutje në njoftim.

Ndër të tjera ”Europa Nostra”, specifikon edhe qëndrimin e palës kosovare, për të cilën tregon se Qeveria e Kosovës, e kundërshton përfshirjen e këtij manastiri në listën e 7 vendeve më të rrezikuara në Europë për vitin 2021, sepse sipas tyre kjo ka dëmtuar imazhin e vendit.

Lexo edhe:

Kosova kërkon kompensim nga “Europa Nostra”, për dëmin që shkaktoi futja e Manastirit të Deçanit në listën e lokaliteve të rrezikuara

Kujtojmë që Qeveria e Kosovës, ka kërkuar kërkimfalje dhe kompensim të dëmeve që ka shkaktuar futja e Manastirit të Deçanit në listën e ngushtë të monumenteve më të rrezikuara në Evropë./Shqip.com