Kulturë

Kosova kërkon kompensim nga “Europa Nostra”, për dëmin që shkaktoi futja e Manastirit të Deçanit në listën e lokaliteve të rrezikuara

Kosova po kërkon kërkimfalje dhe kompensim nga organizata “Europa Nostra”, për dëmin që i ka shkaktuar vendit me futjen e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë.

Kështu është bërë e ditur përmes njoftimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës.

Mnistri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë pritur në takim delegacionin e përbërë nga përfaqësuesit e Organizatës Europa Nostra, të shoqëruar nga përfaqësues të Institutit të Bankës Evropiane të Investimeve.

“Në këtë takim, u diskutuan aspektet e përfshirjes së Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë gjatë vitit 2021. Ministrat, ritheksuan qëndrimin e institucioneve të Kosovës, dhe mos-pajtimin për këtë përfshirje, pa konsultim të mirëfillte me palët”, thuhet në njoftim.

Tutje sipas njoftimit, ministrat kanë deklaruar gjithashtu se mungesa e vlerësimit të rrezikut që i kanoset Kalasë së Novobërdës, dhe insistimi për “rrezikun” ndaj Manastirit të Deçanit, është edhe një dëshmi për qasjen jo-profesionale, politikisht të ndikuar të organizatës Europa Nostra.

E pikërisht për këtë arsye, sipas MKRS-së, Europa Nostra i detyrohet një kërkim falje dhe kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj reputacionit të Institucioneve të Kosovës.

Manastiri i Deçanit

“Përfshirja e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë, nuk ka qenë e drejtë, ngase nuk është bazuar në argumente profesionale dhe nuk reflekton pasqyrën reale”, thuhet në njoftim.

Manastiri i Deçanit që nga mbas lufta kontrollohet nga KFOR-I, si dhe është në mbrojtje ligjore edhe në përputhje me Konventat Ndërkombëtare, që i siguron ruajtjen e integritetit të vlerave të trashëgimisë, e cila është e vlerësuar si pjesë e Trashëgimisë Botërore./Shqip.com