Lajme

Miftaraj: Kaq për seriozitetin e Prokurorisë Speciale

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një postim në Facebook, ka reaguar lidhur me deklaratën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Ai ka thënë se serioziteti i Prokurorisë Speciale lënë për të dëshiruar.

“Prokuroria Speciale e Republikes se Kosoves e fton të hënen, deputetin Abazi për ta marr në pyetje lidhur me rastin Dehari. Sot e enjte, pastaj e premte, e shtune, e diele, dhe në fund vjen e hëne. Prokurorët që paguhen afersisht mbi 2500 euro në muaj, nuk bën me punu kur është ditë pushimi.Kaq për seriozitetin e Prokurorisë Speciale. Këta krimin e “luftojnë” vetëm ne ditë pune dhe brenda orarit të punës”, ka thënë Miftaraj.

Përmes një konference për media, Abazi ka thënë se duhet të kërkohen këto video-incizime që të konfirmohet se kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit.

Lexo edhe:
Abazi: Duhet t’i kërkoni video-incizimet për të konfirmuar se kush i zhduku mostrat e Deharit

“Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mija që kam shtru, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi brenda LVV-së. shkarkimi është minor kundrejt borxhit që kem për ta sqaruar  deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe Kurti të mos thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Kamerat nuk mund të gënjejnë se çfarë kanë ndodhur”, tha Abazi.

Abazi përmend edhe emrat të cilët duhet të intervistohen nga Prokuroria.

“Mendoj që prokuroria duhet të marrë në pyetje, Albin Kurtin, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutra Gogaj Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve”.

Sipas Abazit, nga kamerat e sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dihet qartë se kush ka hyrë dhe ka marrë mostrat e Astrit Deharit.

/Shqip.com