Lajme

Miftaraj: Inicimi i procedurave disiplinore është i pashmangshëm për zyrtarët e Kosovës që morën pjesë në takimin e thirrur nga Vuçiq

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj.

Eprorëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit, dhe kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, mund të ju kushtojë pjesëmarrja në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Kjo pasi, sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, përbën shkelje të rëndë të Kodit të Etikës.

“Veprimet e zyrtarëve publik të Republikës së Kosovës që marrin pjesë në takime të Komitetit të Sigurisë së një shteti tjetër, më së paku përbejnë shkelje të rëndë të Kodit të Etikes dhe Sjelljes Profesionale”, tha Miftaraj për Shqip.com.

Sipas tij, “inicimi i procedurave disiplinore është i pashmangshëm” për këta zyrtarë publik.

Ndërsa, thekson se nuk do të mund të ju shpëtojnë edhe “masave tjera që mund të hynë edhe në sferën penale”.

Gjatë ditës, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës se është duke e shqyrtuar këtë çështje.

Lexo edhe:
U raportua se kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë mori pjesë në takimin me Vuçiqin, deklarohen nga KGJK-ja

Reagim pati edhe nga ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Në një konferencë për media, ajo tha se i vjen keq për pjesëmarrjen e Stevanoviqit në një takim të tillë dhe i ka bërë thirrje KGJK-së që të ndërmarrë veprime për këtë rast.

“Gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave në Republikën e Kosovës duhet të sillen me integritet të lartë moral dhe profesional. Çdo pjesëmarrje në një takim të tillë e cenon këtë integritet”, tha ajo.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Serbi
Lexo edhe:
Vuçiq me rastin e zgjedhjeve të 3 prillit: Kosova dëshiron vetëm një gjë

Ndryshe, më 22 mars në Beograd, presidenti serb, Vuçiq u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës, me të cilët bisedoi për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Më 3 prill, Serbia do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare dhe serbët e Kosovës, sipas Vuçiq, do të votojnë në komunat në Serbinë Qendrore./Shqip.com