Lajme

Meta: Lidhja e Prizrenit i frymëzon të gjitha përpjekjet për mbrojtje të identitetit shqiptar

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë në 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit se kjo ngjarje frymëzon të gjitha kohërat dhe përpjekjet e shqiptarëve për mbrojtje të identitetit.

Meta, në faqen e tij zyrtare në Facebook, tha se kjo ngjarje historike mbetët vepër e gjallë frymëzuese.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet një vepër e gjallë frymëzuese, për të gjitha kohërat, në përpjekjet e mëdha të shqiptarëve për mbrojtjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar, lirisë, pavarësisë”, shkroi Meta.

Ai tha se vizioni i kësaj ngjarjeje, rikujton rëndësinë e bashkimit rreth vlerave kombëtare dhe mbrojtjen e së ardhmes evropiane.

“Vizioni, aspiratat legjitime, fryma patriotike dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që evokon kjo ngjarje e rëndësishme dhe e paharruar historike na kujtojnë gjithmonë rëndësinë e bashkimit rreth vlerave kombëtare, fuqizimit dhe lartësimit të arritjeve të deritanishme të Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë shqiptarëve në rajon”.

Si dhe kjo ngjarje sipas Metes, ndikon për të mbrojtur të ardhmen tonë evropiane nga çdo ide që synon përçarjen prapambetjen dhe shpopullimin e trojeve shqiptare./Shqip.com