Mërgim Lushtaku: Do të votoj kundër martesave mes gjinisë së njëjtë sepse jam pro familjes
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka deklaruar se do të voton kundër Kodit të ri Civil i cili u jep hapësirë martesave mes gjinisë së njëjtë.
Lushtaku tha se ai është kundër për arsye se është pro familjes.
“Andaj, edhe unë si përfaqësues i popullit do të votoj kundër Projekt Kodit Civil i cili ju jep hapësirë martesave mes gjinisë së njejtë, për arsye se jam pro familjes dhe se bie ndesh me ideologjinë politike që unë ndjek dhe bindjet e mija personale”, shkroi Lushtaku.
Po ashtu ai u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë kundër.
Martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë i lejon Kushtetuta, por deri më tani ato nuk janë lejuar me Kodin Civil dhe Ligjin për familjen.
Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.
Projektkodi Civil thotë se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.
Por, neni i radhës thotë se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë../Shqip.com