Lajme

Mehmeti: Presim udhëzimet nga ZRRE për investime në Valaq

Operatori i Sistemit Transmisionit dhe Tregut- KOSST në një përgjigje për Shqip.com ka konfirmuar se është arritur marrëveshje me Elektroseverin për energjinë elektrike në veri të vendit.

Kryetari i Bordit të KOSST-it, Jeton Mehmeti ka thënë se kompania serbe i ka plotësuar tri kushtet sipas udhërrëfyesit të arritur në Bruksel.

“Fillimisht dokumentet i kanë dërguar me fusnotë, por pas negociatave me datën 14 është arritur marrëveshja me kushtet ashtu siç i kemi kërkuar si Republikë e Kosovës. Elektroseveri i ka përmbushur  kushtet sipas udhërrëfyeset sa i përket marrëveshjes me KOSST-in. Janë tri marrëveshje me KOSST, gjithashtu janë dorëzuar të dhënat e konsumatorëve” ka thënë Mehmeti.

Në njërën prej pikave të marrëveshjes për energjinë është edhe fillimi i investimeve në nënstacionin e energjisë në Valaq. Për këtë Mehmeti ka thënë se janë në pritje të udhëzimeve nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

“Fillimisht Elektroserveri duhet ti përmbush të gjitha kushtet sipas udhërrëfyesit dhe ne do të veprojmë sipas udhëzimeve të ZRRESË” ka thënë më tutje Mehmeti.

Me Marrëveshjen për Energjinë, është paraparë që kompania Elektrosever të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.

/Shqip.com