Lajme

Mehmeti: Kosova po sfidohet nga qarkullimi i dinarit serb në disa komuna

Ish-guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti
Ish-guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka deklraruar se sfidë për vendin mbetet qarkullimi i valutës serbe, dinarit në disa komuna të Kosovës me shumicë serbe. Ndërsa, e mira për vendin, vazhdon të mbetet rritja e vazhdueshme e të hyrave nga diaspora, remitancat të cilat kanë arrit rreth 1 miliard euro vetëm për dhjetë muaj të vitit 2022.

Sipas tij, këtë vit shënojmë 15-vjetorin e shtetësisë por valuta e Serbisë, dinari, është duke qarkulluar si mjet pagese në vendbanimet serbe, në të gjithë territorin e Kosovës, veçanërisht në katër komunat veriore.

Për këtë, guvernatori Mehmeti thekson se për çdo rast e njoftojnë policinë për ta luftuar këtë dukuri antikushtetuese.

“Ne kemi pasur raste dhe informata kur kanë operuar edhe bankat komerciale në mënyrë ilegale, të cilat kanë bërë qarkullim të dinarit. Ajo çka na takon neve si BQK, që me ligj është autoritet për rregullimin e të gjithë institucioneve financiare, duke filluar prej licencimit, mbikëqyrjes, rregullimit e kështu me radhë. Derisa kemi pranuar informatat e tilla për funksionimin e tyre, puna jonë si BQK ka qenë që të njoftojmë Policinë e Kosovës.

Dhe ne kemi pasur raste kur i kemi njoftuar policinë deri tri herë. Ka pasur edhe raste kur janë marrë edhe veprime sikur rasti në Graçanicë, pastaj edhe veprime të tjera. Kështu që kemi vepruar së bashku me Policinë e Kosovës sa herë që është kërkuar. Mirëpo, plani operativ ndërtohet prej Policisë së Kosovës. Puna jonë që sa herë të hasim në raste të tilla, ta njoftojmë Policinë e Kosovës që ka ndodhur edhe në të kaluarën. Gjatë 2022-së nuk kemi pasur raste që i kemi raportuar tek policia, por vitet e mëhershme po”, ka thënë Mehmeti për Kosovapress.

/Shqip.com