Lajme

Mehaj viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë ditës së sotme ka vizituar ish-krerët e UÇK-së.

Mehaj ka zhvilluar takim me të gjithë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Gjatë qëndrimit tim dy ditorë në Holandë, kam takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë padrejtësisht duke u gjykuar në Hagë.

“Kam takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa kam biseduar shkurt edhe me, Hysni Gucatin i cili është duke u përballur me probleme shëndetësore.Në takimet që kam realizuar me secilin, i kam njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për antarësim në PfP dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë” ka bërë të ditur Mehaj.

Shqip.com merr vesh se Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është përfshirë në një konflikt me punëtorët e administratës dhe sigurimit të Ambasadës zvicerane në Prishtinë.

Mehaj nuk ishte trajtuar si personel diplomatik, pasi kishte shkuar të pajisej me vizë.

Ndërsa, konflikti kishte nisur kur, Mehaj ishte detyruar të priste në radhë si qytetarët e tjerë, si dhe ishte detyruar t’i nënshtrohet kontrollit fizik.

Lexo edhe:
Ekskluzive: Ministri Mehaj konfrontohet me sigurimin e Ambasadës së Zvicrës

Shqip.com ka kontaktuar me Ambasadën e Zvicrës, por këta të fundit kanë refuzuar të japin detaje.

“Referuar pyetjes suaj, lista e vizitorëve dhe procedurat e sigurisë së Ambasadës sonë janë informacione konfidenciale. Prandaj, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë ose t’i përgjigjemi pyetjes suaj”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Zvicrës për Shqip.com.

Redaksia ka provuar të kontaktoj me ministrin Mehaj, por i njëjti ka qenë i paqasshëm. Ndërsa, ministria që ai e drejton, nuk ka kthyer përgjigje rreth pyetjeve të adresuara.

/Shqip.com