Lajme

Mehaj takohet me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, premtohet mbështetja e Turqisë për Kosovën në Këshillin e Evropës dhe NATO

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, ku u prit nga homologu i tij, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare,  Hulusi Akar.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Ministria e Mbrojtjes.

Sipas njoftimit në këtë takim, u bisedua lidhur me bashkëpunimin e mirë të deritanishëm në mes të dy ministrive si dhe u theksua nevoja për intensifikim të mëtejmë të bashkëpunimit në mes të të dy ministrive të mbrojtjes dhe të dy forcave, që është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Po ashtu, dy ministrat biseduan për zhvillimet gjeopolitike, pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe ndikimit të tij në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Foto nga Takimi

Mehaj e falënderoi homologun e tij për rolin dhe kontributin e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, në ndërtimin dhe zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, e në anën tjetër, Ministri turk i mbrojtjes, Akar e ritheksoi vazhdimin e mbështetjes së Republikës së Turqisë  për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Akar i siguroi ministrit Mehaj se do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe, në NATO, në Këshillin e Evropës, në të cilin Kosova ka aplikuar para gjashtë ditësh, si dhe në organizatat e tjera rajonale dhe më gjerë./Shqip.com