Lajme

Mehaj pjesëmarrës në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës: Jemi kundër çdo lufte

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka marrë pjesë në mbledhjen virtuale ndërmjet ministrave të 44 shteteve të botës të organizuar nga Sekretari i Mbrojtjes së SHBA, Lloyd J. Austin III, si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se nga 24 shkurti i këtij viti e kanë të qartë që Rusia përbën rrezik permanent për shtetet fqinje të saj por dhe për sigurinë dhe stabilitetin në botë.

“Agresioni ndaj Ukrainës dhe gjenocidi ndaj popullit ukrainas, tmerret të cilat po i përjetojnë, janë një ngjarje jo e panjohur për ne. Në përmasa edhe më të mëdha të njëjtin gjenocid, presion të një lufte të padrejtë, e të paprovokuar e kemi përjetuar edhe ne në Kosovë, 23 vite para”, ka shkruar Mehaj.

Ai gjithashtu ka thënë se si një vend që ka përjetuar një padrejtësi të tillë, e kemi shumë të qartë pozicionimin tonë në këtë mes.

“Përkrahim plotësisht sanksionet e vendeve aleate ndaj Rusisë, e po ashtu jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë në koordinim me NATO, SJBA, BE, strehim për refugjatët dhe për gazetarët të cilët janë të rrezikuar çdo ditë nga agresori rus që nuk dëshiron që bota të kuptoj gjenocidin që po ndodhë”, ka shkruar Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes ka thënë se janë çdoherë kundër çdo lufte që rrezikon sovranitetin e shteteve demokratike!/Shqip.com