OP-ED Kolumne

Me një opozitë që i ka humbur udha në oborr, Albin Kurti do të jetë shumë gjatë në pushtet!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Opozita në Kosovë sot merret me tema me të cilat në rrethana normale do të duhej t’i vinte turp ta hapte gojën, siç është tema e veriut!

Të bësh opozitarit e Albin Kurtit sot në raport me dialogun me Serbinë dhe zhvillimet në veri të vendit, në rrethana kur për 20 vite ke qenë përgjegjës vetë dhe i ke pasur të gjitha mundësitë e ndryshimit të gjendjes nga pozita e pushtetit, thënë butë është autogol, për të mos thënë vetëvrasje politike.

E hutuar nga vendimi për reciprocitet, e demaskuar nga epitetet që i dhanë në të kaluarën kryeministrit Kurti si anti-amerikan, opozita e sotshme në mungesë të kauzave është lëshuar në arsyetimin e veprimeve të saj në të kaluarën.

Energjia të cilën e shfrytëzon opozita e brishtë në Kosovë për të shpërlarë vetveten për veprimet e saj në të kaluarën më së shumti i shkon për shtati kryeministrit Albin Kurti. I rrethuar me një kabinet fragjil, anemik, kryeministri i Kosovës suksesshëm arrin ta mbajë vëmendjen larg temave të cilat e preokupojnë qytetarin e rëndomtë: vështirësia e jetesës në Kosovë.

Të rënduar me shtrenjtimin e çmimeve, me një rini që gradualisht i veniten shpresat, me pensionerë që marrin lëmoshë e jo pagë dinjitoze, sot qytetari i Kosovës është i hutuar nga zhurma politike. Dhe, kjo nuk ndodh për herë të parë! Pra, nuk është rastësi, për strategji. Strategji e qëllimshme e secilit pushtet që dështimet e brendshme i mbulon me tema të jashtme.

Sot qytetarit në Kosovë i mungon një opozitë si Vetëvendosja që ishte aktive edhe kur ngarkohej shporta e konsumatorit, edhe kur ngritej çmimi i energjisë elektrike, edhe kur degradonin shërbimet primare. Sot, ata kanë mbetur në mëshirën e një opozite që vajton privilegjet e humbura.

Ëndërron rikthimin në pushtet pa mund të madh. Deklaron jerëm se qeveria do të bie! Vetvetiu! Jo pse dështoi në dialog, jo pse është meritë e aktivizimit opozitar, por veç pse ata ashtu ëndërrojnë. E, të shohësh ëndrra nuk ka asgjë të keqe, por jo kur je në politikë.

Se më pas ëndrrat shndërrohen në iluzione, e iluzionet në halucilacione siç po i ndodh edhe opozitës së sotshme që ka filluar të besoj se Albin Kurti do ta rrëzoi vetveten! Ky konstatim më shumë se koncept ose vizion, është klithmë dëshpëruese e atyre që pushtetin janë mësuar ta shijojnë herë në emër të Ibrahim Rugovës, e herë në krah të Hashim Thaçit.

Andaj, sot opozita kanë mbetur të shastisur, më shumë ngjajnë në fëmijë tekanjoz sesa në politikanë të mirëfilltë, por gjatë tërë kohës janë në agjendën e kryeministrit Albin Kurti i cili me mjeshtri shfrytëzon dobësitë e tyre. E, dobësia e më e madhe e opozitës sot është humbja e kontaktit me qytetarin që pret mirëqenie, pagë dinjitoze dhe pak shpresë në këtë vend.

Por, këtë nuk kanë si ta mendojnë ata që preokupim të vetëm e kishin në të kaluarën thellësinë e xhepit të vet.Në këto rrethana, kemi mbetur sërish në mëshirën e Albin Kurtit i cili përballë një opozite e cila e ka humbur rrugën në oborr edhe për një kohë të gjatë do të jetë në pushtet.

Vëmendje: Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com