Lajme

Më 6 dhe 7 korrik takohen delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Dialogu Kosovë-Serbi

Takimet e reja në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi pritet të mbahen më 6 dhe 7 korrik të këtij viti, transmeton Shqip.com.

Ndonëse jo në nivelin e lartë, në javën e parë të këtij muaji pritet që të zhvillohen takime midis delegacioneve të të dyja vendeve, në Bruksel.

Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, Petar Petkoviq.

Burimet e REL brenda BE-së nuk kanë saktësuar se cilat do të jenë temat e këtyre takimeve, por kanë paralajmëruar që në kuadër të tyre do të flitet edhe për marrëveshjet e arritura deri me tash në dialog dhe për shkallën e zbatimit të tyre.

Po ashtu ky takim do të shfrytëzohet edhe për përgatitjen e një takimi të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të zhvillohet nga fundi i këtij muaji në Bruksel.

Kurti e Vuçiq u takuan për herë të parë në Bruksel më 15 qershor.

Kryeministri i Kosovës kishte propozuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën, si dhe ka kërkuar njohjen e ndërsjellë.

Ndërkaq, Vuçiq kishte ngritur çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Derisa nuk kishte pajtim për asnjë nga këto pika, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në dialog, Miroslav Lajçak, e kishte cilësuar këtë takim të vështirë. /Shqip.com