OP-ED Kolumne

Me 2 prill marshojmë për të mbrojtur të kaluarën tonë të përbashkët!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Nesër organizohet marshi në mbrojte të ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Nasim Haradinaj, të cilët po akuzohen pa të drejtë në Gjykatën Speciale. Ata vazhdojnë të mbahen në Hagë pavarësisht se Tendafilova kishte deklaruar publikisht, para arrestimit, se nuk do të kishte mbajtje në paraburgim më shumë se një vit, pa filluar gjykimi.

Por, tashmë ndonëse tejkalohen të gjitha afatet e deklaruara paraprakisht në zemër të Evropës vazhdojnë të zhvillohen gjykimet një etnike, ku në shënjestër janë vënë veç shqiptarët, asnjë serb.

Fillimi i muajit prill, para 24 viteve shënon edhe kohën e masakrave më të përgjakshme të kryera nga regjimi kriminal i Millosheviqit. Paradoksi qëndron se asnjë nga gjeneralët famëkeq të Serbisë nuk u gjykua me aq ashpërsi sa sot tentohet të gjykohen ish krerët e UÇK-së.

Për më tepër, tani kemi një gjykatë që i merr si të mirëqena dokumentet e fabrikuara të Serbisë kundër UÇK-së!

Kjo për faktin se Gjykata Speciale ndërtua mbi dy gënjeshtra të mëdha: trafikimi i organeve dhe vrasjet e pasluftës. Asnjëra nga këto dy vepra të presupozuara, nuk gjenden në aktakuzë.

Pavarësisht argumenteve të qëndrueshme të avokatëve, vazhdon mohimi i të gjitha mocioneve të mbrojtjes. Thuajse, me këmbëngulje kërkohet vetëm dënimi – pak kanë rëndësi që të gjitha akuzat të cilat shërbyen si shkas për të filluar gjykimi, nuk ndodhen në aktakuzë.

Për më tepër, prokuroria i ka konservuar nga publiku provat shfajësuese.

Kjo të shtynë të mendosh se pikënisja ishte me motive politike dhe gjykimi është politik. Këtë e përforcon fakti se njoftimi u bë publik në ditën e udhëtimit të ish presidentit Hashim Thaçi drejt Shtëpisë së Bardhë.

Rasti i ish-krerëve të UÇK-së ka dyfish më shumë dokumente dhe orë gjykimi sesa rasti i kasapit të Ballkanit, Millosheviqit. Varrezat masive të hapura nga kasaphanja e regjimit të tij, të pagjeturit, shkatërrimet dhe dëmet e tjera që ndodhën para syve të botës, janë të reduktuara në shumë më pak dokumente sesa ato që sot përdorën kundër atyre që “mëkatin” e vetëm e kishin pse luftuan për lirinë e popullit të vet!

Andaj, marshi me 2 prill është jo veç në mbrojtje të ish krerëve të UÇK-së, por mbi të gjitha, mbrojtje e vetvetes. Mbrojtje e historisë tonë nga ata që tentojnë ta barazojnë agresorin me viktimën.

/Shqip.com