Lajme

Mbyllen për qarkullim pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak

Policia e Kosovës në Jarinje, Ilustrim

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Policia e Kosovës njofton se pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak janë mbyllur për qarkullim.

“Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtar dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak. Njoftohen të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në njoftim.

Kosova nga sot në mesnatë do të fillojë të përdorë masën e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet serbe.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se nuk ka vend për tension, pasi sipas tij, po bëhet diçka legjitime dhe legale.

“Unë jam kryeministër i progresit dhe shpresës, e di që fqinji ynë në skenën politike atje, ka shumë politikanë deri të kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës dhe frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternative dhe andaj besoj dhe punojë që gjithçka nesër të shkojë mirë”, ka thënë Kurti.

“Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë, ne do t’ua shtojmë një flet-deklarim, sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njëjtë me çdo qytetarë të Kosovës kur e kalon kufirin e shkon në Serbi”, shtoi ai.

Lexo edhe:
Kurti për reciprocitetin: S’ka kurrfarë mundësie për destabilizim, po bëhet diçka legjitime

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se situata me Republikën e Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë më e ndërlikuar sesa që është sot.

Vuçiq këto komente i dha sot gjatë një konference, pasi është takuar dje me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.

Lexo edhe:
Vuçiq: Situata në Kosovë nuk ka qenë kurrë më komplekse se sot

“Unë e di që pas shumë vitesh, dhe kjo ka ndodhur për dekada, shumë njerëz nuk duan as të dëgjojnë për problemet reale me të cilat po përballet vendi ynë dhe populli ynë. Kjo. Nuk kemi qenë kurrë në një situatë më të ndërlikuar sesa sot”, është shprehur Vuçiq.

“Asociacioni i komunave serbe nuk është formuar që 3390 ditë, askush nuk ka reaguar”, ka shkruar Vuçiq./Shqip.com