Lajme

Mbi 90 mijë fletëvotime të pavlefshme në zgjedhjet lokale të 17 tetorit

Fletëvotimi

90 mijë e 289 fletëvotime të pavlefshme dhe të zbrazëta në nivel vendi janë vlerësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përcjell Shqip.com.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës deklaroi se kjo situatë është e papranueshme dhe duhet që të adresohet menjëherë për të punuar në ndryshimin e dizajnit të fletëvotimit por edhe rikonceptimin e kampanjave për informim me mënyrën e votimit.

Lexo edhe:
Rezultatet përfundimtare për Kuvende Komunale: LDK e para me 170 mijë e 134 vota

 “Edhe në këto zgjedhje ka vijuar trendi jashtëzakonisht i lartë e negativ i votave të pavlefshme. Në bazë të rezultateve të deritanishme të KQZ-së, kemi gjithsej 90,289 fletëvotime të pavlefshme dhe të zbrazëta në nivel vendi. Prej tyre, PLOT 70 MIJË (mesatarja në nivel vendi 8.56%) janë vetëm për kuvendet komunale – që paraqet edhe pjesën më problematike.

Kjo situatë është e papranueshme dhe duhet të adresohet menjëherë, duke punuar në ndryshimin e dizajnit të fletëvotimeve, rikonceptimin e kampanjave për informim të votuesve lidhur me mënyrën e votimit, por gjithsesi duke mos anashkaluar edhe rishikimin e sistemit të votimit në zgjedhjet lokale në tërësi”, shkroi ndër tjerash ai në Facebook.

Tutje, ai bëri të diture se komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme janë: Ranillugu, Graçanica, Drenasi, Parteshi, Mitrovica e Jugur dhe Obiliqi.

Lexo edhe:
KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale

“Komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme janë Ranillugu (18.75%), Graçanica (15.70%), Drenasi (11.48%), Parteshi (11.36%), Mitrovica e Jugut (10.48%) dhe Obiliqi (10.43%).

Në anën tjetër, komunat me përqindjen më të vogël janë Leposaviqi (2.72%), Zveçani (2.82%) dhe Mamusha (4.08%)”, shtoi ai.

Ndryshe, të mërkurën, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare për Kuvende Komunale të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, ku e para në nivel vendi ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 170 mijë e 134 vota, e dyta Lëvizja Vetëvendosje me 168 mijë e 84 vota dhe e treta, Partia Demokratike e Kosovës me 161 mijë e 645 vota./SHQIP.com