Lajme

KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale, që u mbajtën më 17 tetor 2021, përcjell Shqip.com.

Përmes njoftimit, KQZ ka bërë të ditur se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, në afat prej 24 orësh, subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Komisioni Qendror Zgjedhor

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për shpalljen e këtyre rezultateve pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotim dhe në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, si dhe kur të gjitha vërejtjet që u përkasin procesit të votimit dhe numërimit janë vendosur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimare, në afat brenda 24 orësh, subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

 KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare për 38 Kuvendet në këto komuna: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Hani Elezit, Graçanicë, Ranilluk, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut./SHQIP.com