Lajme Botë

Mbi 43.550 të vdekur nga tërmetet në Turqi, hetohen ndërtuesit

Pamje nga Turqia - Anadolu

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, ka thënë se numri i të vdekurve pas tërmeteve shkatërruese të këtij muaji ka arritur në 43.556.

Sipas Soylu, që nga tërmeti i parë i 6 shkurtit ka pasur edhe 7.930 pasgoditje, ku më shumë se 600 mijë apartamente dhe 150 mijë ndërtesa tregtare kanë pësuar dëme.

Teksa vendi po përshpejton përgatitjet për strehimin e të prekurve nga tërmeti, ministri i Brendshëm ka njoftuar gjithashtu se pas tërmetit tragjik, Turqia do ta zgjerojë hetimin e saj ndaj kontraktuesve të ndërtimit që dyshohet se kanë shkelur rregullat e sigurisë.

Suleyman Soylu konstatoi se deri më tani janë identifikuar 564 të dyshuar, 160 persona janë arrestuar, dhe shumë të tjerë janë ende duke u hetuar.

“Qytetet tona do të ndërtohen në vendet e duhura, fëmijët tanë do të jetojnë në qytete më të forta. Ne e dimë se me çfarë lloj prove po përballemi dhe do të dalim më të fortë nga kjo”, tha ai.

Soylu tha se rreth 313 mijë tenda janë ngritur deri më tani, ndërsa është paraparë që 100 mijë shtëpi kontejneri do të vendosen në zonën e tërmetit, raporton Radio Evropa e Lirë.

/Shqip.com