Lajme

Mbi 15 mijë nënshkrime për 5 ditë – Organizatori tregon kur do të dërgohen nënshkrimet në Kuvend për tërheqjen e 30 për qind nga Trusti

Trusti

Mbi 15 mijë qytetarë e kanë nënshkruar brenda pesë ditëve peticionin, përmes së cilit kërkohet tërheqja e kursimeve nga Trusti.

Kështu ka bërë të ditur organizatori i këtij peticioni, Adnan Jashari në një prononcim për SHQIP.com, ku ka thënë se deri të martën pritet të arrihen 20 mijë nënshkrime.

“Deri të martën do të vazhdojë ky proces pasi ka shumë kërkesa për të nënshkruar edhe në disa komuna, si dhe ka shumë qytetarë që kanë mbledhur edhe nënshkrime dhe po presim me i sjellë deri të martën që mund të shkojnë deri në 20 mijë.

Ai tha se ky peticion do të dorëzohet pas mbylljes së procedurave menjëherë në Kuvend.

“Menjëherë pasi të mbyllët peticioni, do t’i marrim nënshkrimet dhe shkresën zyrtare, ku do të bëjmë gati që të drejtojmë në Kuvend për të bërë gati projektligjin për tërheqjen deri 30 për qind nga TRUSTI. Pas këtyre procedurave do të shkojë menjëherë në Kuvend”.

Ai tha se kriza ka krijuar urgjencë për popullin, prandaj edhe dëshirojnë sa më shpejtë që të shkojnë me dorëzimin e nënshkrimeve në Kuvend.

Ndryshe, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili është iniciues i nismës për ndryshim-plotësimin e Projektligjit për Kursimet Pensionale që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti ka thënë se është i fascinuar më angazhimin e qytetarëve në këtë peticion.

“I fascinuar me angazhimin e qytetarëve për të ri proceduar në Kuvend Projektligjin për Trustin”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ai ka publikuar një fotografi me Adnan Jasharin, organizator i peticionit dhe protestave të mbajtura në Prishtinë për lejimin e tërheqjes së Trustit.

Lexo edhe:
Nuk votohet Projektligji për Trustin

Kujtojmë se projektligji për Trustin është hedhur në votim në seancën e Kuvendit të 23 qershorit, por nuk kaloi pasi pozita votoi kundër dhe një pjesë e deputetëve të opozitës kanë munguar në seancë./SHQIP.com