Lajme

Mbi 10 mijë mërgimtarë me të drejtë vote në balotazh

Komisioni Qendror Zgjedhor

10 mijë e 220 qytetarë nga diaspora do të kenë të drejtë vote për balotazhin e 14 nëntorit.

Për zgjedhjet e 17 tetorit këtë të drejtë e kishin 15 mijë e 530 sosh.

Por, disa komuna nuk kanë nevojë për balotazh, pasi kryetarin e zgjodhën që në raundin e parë.

Për këtë edhe numri i votuesve në balotazh do të jetë më i vogël.

Këtë për KosovaPress e ka kumtuar edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Po ashtu Elezi dekalroi se të gjithë qytetarët të cilët janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.

“Të gjithë qytetarët që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarë të Komunave në raundin e parë do të munden të votojnë përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në të cilat do të organizohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave,” ka thënë ai.

Ndërkaq ai kujtoi se fletëvotimet e qytetarëve nga diaspora do të pranohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më datën 12 nëntor.

Lexo edhe:
Qeverisë i kërkohet të mbështetet nga buxheti edhe Sanxhaku

“Sipas ligjit fletëvotimet duhet të pranohen nga ana e KQZ-së më së largu deri më datë 12 nëntor. Të drejtën për të votuar gjatë këtij procesi e kanë vetëm votuesit e komunave në të cilat organizohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit nga 10 korriku deri më datë 18 gusht 2021”.

“Pra nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës sepse vlen lista votuese e raundit të parë,” ka theksuar Elezi. /Shqip.com