Lajme

MASHTI: Shumica e mësimdhënësve i janë përgjigjur pozitivisht orëve të humbura

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se nga inspektimet e para në teren shumica e mësimdhënësve i janë përgjigjur pozitivisht kalendarit të vitit shkollor.

Këshilltari i Nagavcit, Valdrin Dervishaj për SHQIP.com ka thënë se inspektimet kanë nisur nga ora 7:30 dhe një numër i madh i nxënësve janë prezent.

“Inspektorët tashmë janë në terren nga ora 7:30. Kemi informatat e para. Në bazë të informatave, shumica e mësimdhënësve i janë përgjigjur pozitivisht kalendarit të vitit shkollor.

Ndërsa edhe në lidhje me paraqitjen e nxënësve në shkollë, është një numër i madh që janë paraqitur, kjo varion nga shkolla në shkollë dhe nga komuna në komunë. Në rastet kur nxënësit mungojnë duhet të evidentohen në ditar për mungesë”.

Tutje ai tha se prindërit duhet të sigurohen që informacionet t’i marrin nga organet kompetente, përkatësisht MASHTI dhe DKA-të dhe” t’i shmangin informacionet nga persona që tejkalojnë kompetencat dhe përgjegjësitë’’.

“Mësimdhënësit të jenë në komunikim me prindërit që t’i informojnë nga afër për kalendarin shkollor”, ka thënë ai.

Lexo edhe:
Në “betejën” në mes të SBASHK-ut dhe ministrisë hynë edhe nxënësit – bojkotohen orët shtesë

Ndryshe, SHQIP.com ka kontaktuar me Isak Brega – drejtor i shkollës “Dardania “ në Prishtinë, i cili tha se vetëm 4 nxënës kanë ardhur sot në mëngjes.

“Të gjithë mësimdhënësit i kamë në shkollë, të gjitha i kam të dokumentune edhe me video. Vetëm 4 nxënës kanë ardhë. Procesi mësimor nuk është zhvilluar dhe 45 mësimdhënës janë në sallë të arsimtarëve”, tha ai.

Bregaj tha se paraprakisht janë bërë të gjitha njoftimet e nevojshme që procesi mësimor do të mbahet./SHQIP.com

/Shqip.com