Lajme

MASHTI hap konkurs për bursa për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka shpallur konkurs për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian për vitin shkollor 2021/2022.

Lajmin e ka bërë të ditur të enjten ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook.

Siç ka bërë të ditur ajo, MASHTI mbështet politika dhe programe të cilat sigurojnë arsimim kualitativ edhe për nxënësit e komuniteteve.

Njoftim
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

“Bursat do të ndahen për nxënësit e këtyre komuniteteve të regjistruar në klasën e 10-të, 11-të, 12-të të arsimit të mesëm të lartë, gjimnaze dhe shkolla profesionale në  Republikën e Kosovës, për këtë vit shkollor”, ka shkruar Nagavci.

Me këtë projekt ka thënë se synojnë përfshirjen e nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike dhe sigurimin e iniciativave, përfshirë ndarjen e bursave për të reduktuar braktisjen e mësimit tek nxënësit e këtyre komuniteteve.

“Po ashtu, synojmë rritjen e numrit të nxënësve që do të ndjekin arsimin e mesëm të lartë përmes mbështetjes financiare me bursa dhe ngritjen e suksesit të nxënësve duke iu ofruar mbështetje financiare. Lartësia e bursave do të jetë 300 euro për një vit mësimor”./SHQIP.com