Ekonomi Biznes

Masat kundër COVID-19: Gastronomët kanë tetë kërkesa për qeverinë

Prishtina gjatë pandemisë

Pas paralajmërimeve se Qeveria e Kosovës do të miratojë masa të reja kundër COVID-19, të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga 1 shtatori, kanë reaguar nga Shoqata e Gastronomëve.

Sipas këtyre të fundit, vendimi për masat i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë është shumë i mirëkuptueshëm, duke u bazuar në gjendjen epidemiologjike të rënduar, por kufizimet thonë se nuk janë të drejta, kur mungon edhe përkrahja e qeverisë ndaj këtij sektori.

Lexo edhe:
Vitia thërret në takim kryetarët e komunave, diskutojnë për shtrëngim të masave

Ndaj, gastronomët kanë paraqitur tetë kërkesa për të cilat kanë thënë se Ministria e Financave duhet t’i shqyrtojë dhe t’i ftojë për t’i diskutuar.

I. Subvencionimi i gjysmës së pagës mesatare të punëtorëve për 3 muaj radhas.

II. Mbulimi i shpenzimeve operative (qiratë, rryma, uji, mbeturinat) – të vitit 2020 dhe 2021 për bizneset që kanë zhvilluar aktivitet të pjesshëm ekonomik.

III. Kompensim mujor për pronarët e bizneseve të cilat nuk janë lejuar të operojnë gjatë pandemisë. Kompensimi duhet të përcaktohet nga 10% të fitimit neto të vitit 2019. Kjo pagesë duhet t’iu ndahet në baza mujore për një periudhë të arsyeshme.

IV. Të bëhen ndryshimet ligjore që mundësojnë pagesën e detyrimeve tatimore aktuale, të paguhen në vitin pasues me këste 3 mujore pasdhënie (Sipas sistemit Anglez). Kjo vlen vetëm për tatimin në fitimin e tatueshëm për Korporata, si dhe tatimin në të ardhurat personale të tatueshme për Bizneset Individuale. Ofrimi i kësaj mundësie nënkupton që obligimet tatimore të periudhës 2021, të paguhen në formë të kësteve pasdhënie në vitin 2022. Kjo formë e pagesës të aplikohet për periudhat e ardhshme tatimore.

V. Të ndryshohet pragu i kalkulimit të të ardhurave personale të pa tatueshme në paga, nga 960,00 euro në vit (80,00 euro në muaj), në 1.800,00 në vit (150,00 në muaj). Ndërsa për paga më të larta të gjendet një proporcion i arsyeshëm, në mënyrë që të aplikohen shkallët tatimore prej: 4%; 8%; dhe 10%.

VI. Të shtyhen pagesat e afateve të kredive dhe kthimit të mbitërheqjeve të vjetra (para pandemisë). Interesi të subvencionohet nga buxheti i shtetit.

VII. Të shqyrtohet reduktimi i normave tatimore në pagat e punëtorëve dhe tatimit ne fitim.

VIII. Të zgjatet vendosja e TVSH-së në shitje në 8% deri më 31 dhjetor 2026.

“Presim reagim urgjent të institucioneve relevante të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të veprohet drejtë dhe në kohë në raport me vështirësitë ekonomike që po ballafaqohen bizneset e gastronomisë, dhe që po pritet të intensifikohen gjatë javës së ardhshme!”, thuhet në komunikatën për media të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës.

Lexo edhe:
Masat e reja të papranueshme për gastronomët

Gastronomët më tej janë shprehur se bizneset po mbyllen dhe të njëjtat po lihen në mëshirën e temperaturave atmosferike dhe kapaciteteve të secilit veç e veç me hapësira katrore të terasës, për t’i dal ballë shpenzimeve operative ku përfshihen pagat e punëtorëve dhe obligimet e qirasë, likuidimit të kredive, obligimeve ndaj ATK-së, etj.

Ata kanë vlerësuar se asnjë prej masave emergjente të ndërmarra nga të dy qeveritë që kanë menaxhuar me pandeminë, nuk janë kompletuar deri në fund pasi ka shumë biznese që kanë raportuar që nuk kanë përfituar nga to, e që gjithnjë dhe natyrisht që gastronomia bën pjesë me përqindje të madhe./SHQIP.com