Lajme

Tahiri: Marrëveshje në Ohër e rifaktorizon Kosovën në rrafshin ndërkombëtar

Besnik Tahiri - Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së
Besnik Tahiri - Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së

Deputeti dhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka folur edhe për qëndrimin e Aleancës rreth Propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tahiri thotë se kjo Marrëveshje që pritet të nënshkruhet më 18 mars në Ohër e rifaktorizon Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

“Kosova në ShBA shihet si një vend mik, një popull mik e që ka luftu për liri dhe një popull që me të vërtetë në të gjitha aspektet është në vijë me ShBA-në. Pra Kosova është një vend që e sheh marrëdhënien me Amerikën afatgjate, strategjike dhe të përjetshme, edhe në këto vija ata e njohin, megjithatë për shkak të situatës gjeopolitike, luftës në Ukrainë, ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor, janë shumë të interesuar që ta mbështesin këtë marrëveshje, dhe janë të bindur se plani franko-gjerman për Kosovën i jep një shtytje të madhe Kosovës dhe e rifaktorizon në rrafshin ndërkombëtar, kryesisht në organizatat ndërkombëtare”, thotë Tahiri.

Sipas tij, është e vërtetë që Qeveria Kurti i kishte tensionuar marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në.

“Kjo ka ndodhur. Fatmirësisht tash shihet një komunikim i ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe opozitës me ShBA-në”, u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën do të zhvillojnë takim, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku me shumë gjasë pritet që të nënshkruhet nga të dy palët, plani evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se fillimisht, kryediplomati evropian, Josep Borrell, do të zhvillojë takime të ndara me dy liderët, nga ora 10:00, ndërkohë që më pas do të pasojë takimi kokë më kokë mes dy liderëve.

/Shqip.com