Lajme

Marketet vazhdojnë shitjen e brendit “Wudy” pavarësisht urdhrit nga AUV-i që t’i largojnë

Ilustrim

Pavarësisht që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar tërheqjen e të gjitha llojeve të brendit “wudy” shitja është duke vazhduar.

SHQIP.com ka vizituar disa nga marketet e Prishtinës, ku ka hasur që sallami i këtij brendi ende është në raftin e shitjes.

Lamir Thaçi zëvendës në AUV, tha se vendimi vlen për të gjitha llojet e këtij brendi- edhe për këtë që është ekspozuar në raft.

“Vendimi vlen edhe për këtë sallam dhe për të gjitha llojet e kësaj firme. Menjëherë do të informohet edhe inspeksioni”, tha ai për SHQIP.com.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi

Tutje, ai tha se inspektim i është duke vazhduar dhe nuk ka ndonjë afat kohor deri kur.

“Nuk ka ndonjë afat kohor, inspektimi është duke vazhduar”.

Shqip.com ka tentuar të marrë përgjigje nga këto kompani që nga dje, mirëpo të njëjtat nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e të gjitha llojeve të brendit “Wudy’, pasi në produktet e prodhuesit AIA, vendi i origjinës Itali, dyshohet për praninë e bakterit Listeria në disa lote prodhimi.

Nga kjo agjenci, bëjnë me dije se nga mëngjesi ka filluar gjurmimi për identifikimin e të gjitha llojeve të produktit të importuar në Kosovë nga ky prodhues dhe se ka pasur ndalesa për tregtim.

“Gjithmonë bazuar në lajmërimin që është dhënë me numrat loteve dhe datës se skadencës. Nga të dhënat e kontrollit kufitar dhe të dhënat e sigurua nga importuesi-distributori për Kosovë. Është gjetur se disa nga lotet e përfshira në incident gjenden në Kosovë. Kosova nuk ka pranuar ende lajmërimin nga sistemi RASSF, por mbi bazën e dyshimit të ngritur, kemi zhvilluar hulumtim të shpejtë dhe kemi arritur të identifikojmë prezencën e disa lotëve të këtij prodhim në vendin ton. Menjëherë ka pasur ndalesa për tregtim”, thuhet në komunikatë.

Lexo edhe:
AUV urdhëron tërheqjen nga tregu të të gjitha produkteve “Wudy”

Për më tepër, AUV fton konsumatorët që të mos i konsumojnë këto produkte dhe t’i kthejnë ato në vendin ku i kanë blerë.

Urdhri për tërheqje të tërësishme të gjitha produkteve nga brendi “Wudy” vlen deri në një vendim tjetër.

Theksojmë se edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), me anë të një njoftimi, ka bërë me dije të gjithë qytetarëve në Shqipëri që të ndalojnë së konsumuari salsiçet “Wudy”.