Sport Ndërkombëtar

Macron zbulon bisedën me Mbappe: Të gjithë jemi krenar për të, ai është Kampion i Botës

Franca u mposht në finalen e Katar 2022 nga Argjentina me francezët që provuan të rezistonin, por u dorëzuan në goditjet e 11-metërshave, edhe pse në tërësi paraqitja e “Les Bleus” në finalen e Kupës së Botës ishte zhgënjyese.

Ylli francez Kylian Mbappe ishte i mërzitur pas ndeshjes dhe të gjithë provonin ta ngushëllonin.

Diçka të tillë e provoi edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron i cili zbuloi edhe bisedën me Mbappe në fushë.

“Ishim shumë larg Argjentinës në fundin e pjesës së parë dhe përmbysje të tilla janë shumë të vështira. Megjithatë, ia dolëm deri diku, ajo që arriti Mbappe me shokët e skuadrës është diçka e jashtëzakonshme. Rigjetëm “urinë” e duhur në fushë dhe në fund patëm edhe mundësinë për ta fituar takimin. Mbappe është një lojtar i madh, i thashë se është vetëm 24-vjeç. U shpall golashënuesi më i mirë dhe mos të harrojmë se ai e ka një Botëror të fituar. Tani luajti një tjetër finale, isha i trishtuar aq sa edhe ai, por i theksova se i bëri të gjithë krenar. Në fund, humbëm një ndeshje futbolli, por i shkuam shumë pranë. Kështu funksionon futbolli”, u shpreh presidenti Macron.

/Shqip.com