Macron: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duket shumë kompleks

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duket shumë kompleks, përcjell Shqip.com.
Sipas tij, Ballkani po përballet me një rikthim prapa të historisë dhe tensione të mëdha, raporton Euronews Albania.

“Patëm një diskutim shumë të mirë sot për Ballkanin dhe perspektivën e integrimit. Situata sot paraqitet shumë e komplikuar mes shumë vendeve të Evropës. Situata mes Serbisë dhe Kosovës, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duket shumë kompleks.
Kemi kaluar disa momente me drejtuesit e vendeve dhe kancelaren. Gjithashtu sot kemi diskutuar për situatën mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, siç e dini. Duhet të përparojmë mbi këtë temë por qëllimi ynë është të mundemi t’u ri-japim një perspektivë Ballkanit që janë të gjithë në Evropë”, tha ai.
Po ashtu, ai ka folur edhe për çështje tjera të Bashkimit Evropian, teksa theksoi nevojën e bashkëpunimit me Rusinë dhe Turqinë.
“Dëgjoni, unë mendoj se BE ka dy sfida kryesore, ka shumë të tjera por janë institucionale. Ne duhet së pari të zgjerojmë kufirin tonë dhe të kemi një diskutim me fqinjët tanë, në veçanti me Rusinë dhe Turqinë dhe në të njëjtën kohë ne duhet të transformojmë thellësisht funksionimin tonë të brendshëm”, përfundoi Macron.
Ndryshe, të mërkurën është mbajtur Samiti BE-Ballkan Perëndimor, ku kanë marrë pjesë liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë këtij samiti, kryeministri i Kosovës është takuar edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku kanë folur për Procesin e Berlinit.
Përmes një postimi në Twitter, ai theksoi se kanë diskutuar edhe për lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave./SHQIP.com