Lajme

LVV kundërshton shpalljen e rezultateve në Hanin e Elezit

Mbledhja e KQZ-së

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Halim Rama, ka kundërshtuar shpalljen e rezultateve në Komunën e Hanit të Elezit, përcjell Shqip.com.

Në mbledhjen e KQZ-së të enjten, Rama tha se bazuar në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka kohë që palët të ankohen në Gjykatën Supreme.

Ndërkaq, Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se lidhur me Hanin e Elezit, kanë kërkuar që të gjitha komunat të futen në pako.

Lexo edhe:
Shpallen rezultatet përfundimtare, 21 komuna në balotazh

“Nuk e di pse të mbahet kjo mbledhje, ndoshta kemi mundur të presim ende për t’i shpallë rezultatet. Më duket tendencioze që kjo komunë të ndalet nga shpallja e rezultateve. Ku ndoshta në orën tre do t’i shpallim të gjitha. Mendoj që vendimi paraprak i supremes edhe PZAP tashmë kanë betonuar këtë çështje dhe dyshimet që kanë qenë të pabaza, prandaj mendoj që rezultatet për Han të Elezit duhet të shpallen”, ka thënë ai.

Kurse, sa i përket shpalljes së rezultateve për Komunën e Hanit të Elezit, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se ato mund të shpallen.

“PZAP na ka dërgu një shkresë që të mos shpallen rezultatet meqë ka ankesa. Nga Supremja kemi një shkresë ku thuhet se nuk mund të certifikohet rezultati për Han të Elezit. Unë mendoj që mund ta bëjmë shpalljen.. por nëse nuk doni me e shpallë ua lë juve”, ka thënë ai.

Ndryshe, të enjten, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare sipas të cilave, 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve më 14 nëntor.

Ndërsa, janë 17 komuna të cilat nuk kanë nevojë për balotazh pasi që tashmë kanë zgjedhur kryetarin e ri./SHQIP.com