Lajme

Lushtaku: Veprimet e njëanshme të qeverisë e kanë sjellur situatën e tensionuar në veri

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku

Si rezultat i vendimeve të njëanshme dhe të pa matura nga Qeveria, situata në veri të Kosovës është tensionuar.

Kështu është shprehur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku përmes rrjetit social Facebook.

Sipas tij, grupet kriminale në veri të vendit janë mobilizuar më shumë se kurrë.

“Sipas informacioneve, grupet kriminale në këtë pjesë janë mobilizuar si kurrë më parë, ashtu që në bashkëpunim edhe me Listën Srpska janë duke u mobilizuar që nesër të organizojnë protesta dhe barikadime në veri, për të cilat veprime vetëm po presin urdhërin nga Beogradi zyrtar”, ka shkruar Lushtaku.

Deputeti i PDK-së, ka theksuar se siç po rrjedhin ngjarjet, veriu i Kosovës po largohet nga kontrolli I shtetit.

“Ambasadat e shteteve të Kuintit e kanë zvogëluar bashkëpunimin me Qeverinë e cila po vepron njëanshëm, pa pasur fuqinë që t’i ndalojnë veprimet e paligjshme në veri kurse siç po lëvizin gjërat, veriu i Kosovës po shkon larg nga kotrolli i Institucioneve sovrane të Kosovës”, ka shkruar Lushtaku.

Kujtojmë se në veri të Kosovës gjatë ditës së sotme ka pasur zhvillime shumë dinamike, që filluan me largimin e Listës Serbe nga institucionet e deri tek dorëzimi i uniformave nga policët serbë që shërbejnë në veri.

Ndërsa për ditën e nesërme është paralajmëruar një protestë në sheshin kryesor në veri të Mitrovicës.

/Shqip.com